Dy deputetëve të Agimit të Artë, Hristos Papas dhe Konstandinos Barbarusis u është hequr imuniteti nga Parlamenti grek për shkak se të dy kanë qenë të angazhuar gjatë vitit 2013 në bllokimin e doganës greke në Kakavijë.
Në fillim të shtatorit të 2013-ës, të dy deputetët, të mbështetur edhe nga dhjetra anëtarë të partisë neonaziste, kanë bllokuar doganën në shenjë proteste për çështjen e varrezave greke në Përmet dhe për përvjetorin e vdekjes së Aristotel Gumës në Himarë.
Heqja e imunutetit u mundëson autoriteteve greke të nisin lirisht hetimet ndaj dy deputetëve, ndaj të cilëve rëndojnë edhe akuza e pjesmarrjes në organizata kriminale.
Pas heqjes së imunitetit, Papas është shprehur se do të bënte sërish të njëjtën gjë. “Do të shkoj përsëri në pikën e Kakavijës! Do të shkoj edhe me njerëz të tjerë edhe me autobusa. Di t’i mbaj premtimet dhe nuk ndryshoj bindjet në bazë të interesave vetjake. Ne nacionalistët dhe unë personalisht mund të shkojmë edhe në burg për idetë tona”, është shprehur Papas në Parlament.
Ndërsa Barburusis ka deklaruar se ligji i luftës me Shqipërinë ekziston duke nxjerrë bllof kështu qëndrimin zyrtar të Athinës se me Shqipërinë nuk ekziston ligji i luftës.
“Nëse i mërzitëm miqtë tuaj shqiptarë, do Zoti t’ja kemi arritur dhe le të jemi të rrezikshëm për miqësinë tuaj. Për mua personalisht, sa është i skllavëruar vorio-epiri ynë, do të ekzistojë edhe ligji i luftës”, deklaron Konstandinos Barbarusis.
Në 2013, të dy deputetët duke mbajtur flamujt e greqisë dhe të partisë së tyre kanë hedhur parulla si “Atje lart në Përmet do të ngrejmë përsëri flamurin grek” dhe “ Vorio Epiri është Greqi , do të kthehemi sërish për këtë tokë”.
Gjithashtu deputeti Papas në atë kohë kishte deklaruar se Shqipëria e ka frikë “Agimin e Artë”, pasi sipas tij është e vetmja parti, që ka në programin e saj betejën për helenizmin e Vorioepirit. (K.P/Shuplaka)