Nisin hetimet për atë që njihet si “Mali i Tiranës’. Burime hetimore pranë SPAK kanë bërë të ditur se, kanë nisur hetimet pas kallëzimit të Partisë Demokratike. Procedimi penal mësohet se është regjistruar për katër vepra penale, duke përfshirë korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe apstrimin e parave.
Lidhja e njërit prej ortakëve fitues në këtë projekt, Gerian Kukës, me Klodian Zoton në Inceneratorin e Fierit, si dhe akuzat për mashtrim me rimbursimin e TVSH-së, kanë qenë një nga pikat e hetimeve, ndërkohë që e gjithë historia e shpalljes së këtij ndërtimi nga institucionet që merren me Rregullimin e Territorit është një linjë tjetër hetimi.
Në sajë të këtij procedimi pritet që të thirren edhe pronarët e trojeve pranë këtij ndërtimi, të cilët, sipas tyre, kanë tashmë edhe çështjen e humbjes së mundësisë për të zhvilluar pronën, për shkak të shmangies së ndërtimeve të tjera pranë “Malit të Tiranës”. “Ne do të kërkojmë rishikimin e vlerës së pronës, me mundësi zhvillimi, pasi është pabarazi që një pronë ngjitur të ketë mundësi zhvillimi, ndërsa ne të tjerët jo”, mësohet të ketë thënë gjatë hetimeve E. H, një nga pronarët e tokës aty.
Dhënia e pronës për ndërtimin e “Malit të Tiranës” përfshiu dy javë më parë edhe besimtarët myslimanë, të cilët protestuan pranë godinës së Komunitetit Mysliman që të mos dëmtohet pasuria e besimtarëve. Bëhet fjalë për sipërfaqen, ku dikur shtrihej ish-“Disko Albania”.