Gjykata e Apelit të Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë duke liruar nga qelia Edmond Vogën, i cili u kap me armë pa leje dhe makinë të blinduar, si dhe akuzohet për dhunimin e avokatit Ilia Ilia në 2018. (lexo edhe ketu)
Apeli e ka lënë Edmond Vogën në arrest shtëpie duke e liruar nga qelia. Voga, njihet ndryshe dhe si shofer i prokurorit Arjan Ndoja, të cilit nga ana tjetër iu bë një atentat në fundin e vitit të kaluar.
Çfarë deklaronte policia për arrestimin e Vogës:
Policia Rrugore e kryeqytetit, në vijim të kontrolleve parandaluese për aksidentet rrugore, verifikimin e automjeteve që përdorin sisteme pamore dhe zanore shtesë, si dhe në zbatim të planit të masave të DVP Tiranë për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri, gjatë monitorimit të sjelljes se përdorueseve të rrugës, në rrugën interurbane Vorë-Krujë ka konstatuar në lëvizje një automjet që përdorte sisteme pamore shtesë dhe menjëherë është vënë në ndjekje të tij duke e ndaluar atë.
Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit me iniciale M. V., 44 vjeç, nga Fushë Kruja rezultoi se drejtonte një automjet të blinduar pa autorizimin përkatës dhe me mangësi në dokumentacionin e mjetit.
Nisur nga mangësitë dhe përdorimi i sistemeve pamore shtesë, nga patrulla e Policisë Rrugore u bë edhe një kontroll i imtësishëm, gjatë të cilit, këtij shtetasi, në çantën e dorës iu gjet edhe një armë zjarri pa leje, e tipit TT. Menjëherë u bë arrestimi i tij në kushtet e flagrancës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Automjeti i blinduar u sekuestrua ne ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime te tjera hetimore e procedurale. Ndërkohë, ky shtetas është ndëshkuar edhe me masën administrative “Tërheqja e lejes së drejtimit”, për përdorim të sistemeve shtesë dhe mungesë të dokumentacionit të automjetit të blinduar.