Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë dalë 12 shtetas me 3 shtetësi e kombësi, të ndryshme përkatësisht 4 rus, 1 ukrainas dhe 7 filipinezë.
Seanca ndaj tyre është pezulluar pasi ata kanë kërkuar pwrjashtimin e gjyqtarit Erjon Cela. Shtetasit e huaj kërkojnë pasaportat e tyre të sekuestruara së bashku me aparatet celulare dhe sende e tjera personale, pas një operacioni ku u konstatua, që brenda një anije të ngarkuar me qymyr guri, ndodheshin rreth 60 kg Kokainë.
Prej 3 muajsh, shtetasit e huaj, qëndrojnë nën mbikëqyrjen policore prej mesit të muajit maj të këtij viti, brenda anijes së sekuestruar në brigjet e Adriatikut. Mjeti lundrues të kompanisë “Unistream”, qëndron prej 3 muajsh e bllokuar me motorin emergjent të ndezur. Ndërkohë, shtetasit e huaj të cilët dolën sot para Gjykatës, janë anëtarë të ekuipazhit të anijës, të cilëve nuk u është konstatuar gjatë hetimeve asnjë lidhje me ngarkesën e drogës. Por pavarësisht kësaj, atyre u janë hequr përkatësisht 2 pasaportat, ajo e shtetësisë dhe tjetra lundruese për secilin.
Në Gjykatën e Shkallës së parë ra në sy, sidomos theksi i dy gjuhëve, asaj ruse dhe ukrainase. Qytetarë të këtyre dy vendeve, që prej muajsh i ndan lufta me njëri-tjetrin, i “bashkon” Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për një hetim mbi trafikun ndërkombëtar të kokainës.