Policia e Dibrës ka nisur procedim penal ndaj 5 personave, të cilët u kapën duke prerë lëndë drusore në mënyrë të paligjshme.
“Blutë” sekuestruan 22 metër kub lëndë drusore dhe 3 automjet që do të përdoreshin për transportin e tyre.
DVP Dibër/Intensifikohen kontrollet për goditjen e veprimtarisë kriminale të prerjes së pyjeve .
U kapën duke prerë lëndë drusore në mënyrë të paligjshme, nis procedimi penal për 5 shtetas.
Sekuestrohen 22 m³ lëndë drusore dhe 3 automjete që do të përdoreshin për transportin e tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër dhe Bulqizë, në vijim të kontrolleve me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, në fshatin Tartaj në Dibër dhe në fshatin Sopot, në Bulqizë, kanë kapur në flagrancë shtetasit G.P., G.H., Sh.K., U.A dhe A.A, duke prerë lëndë drusore në mënyrë të paligjshme.
Në vijim të veprimeve të kryera për këto raste, shërbimet e Policisë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 5 shtetasit e lartëpërmendur, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjithësej, 22m³ lëndë drusore, të grumbulluara në zona të ndryshme të këtyre fshatrave dhe 3 automjete që do të përdoreshin për transportin e lëndës drusore.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.