Identifikimi i gjashtë personave që kanë organizuar dy grabitjet me armë në rrugën Tiranë-Rinas dhe arrestimi i pesë prej tyre, u pasua me gjetjen e rreth 600 mijë eurove. Nga një përllogaritje e thjeshtë e shumës prej 6 milionë eurove të përvetësuara në total në dy vjedhjet me armë, në dhjetor 2015 dhe shkurt 2017, duket se janë gjetur deri tani vetëm një e dhjeta e parave.
Për këtë arsye, krahas hetimeve, Policia dhe Prokuroria mësohet se kanë nisur “gjuetinë” me metoda speciale të hetimit për të gjetur vendet ku mund të jenë fshehur paratë. Po hetohet edhe pasuria e gjashtë të dyshuarve dhe rrethit të tyre familjar për të zbuluar nëse paratë janë investuar në pasuri apo në biznese.
Pjesë e këtij operacioni kërkimi me metoda speciale ishin edhe paratë që u gjetën të groposura dy ditë më parë në oborrin e banesës së Admir (Jetmir) Çerpjes.
PARATË E 9 SHKURTIT
Shuma në fjalë konfirmohet të jetë grabitur në ngjarjen e 9 shkurtit. Numrat e serive u përkasin kartëmonedhave të bankës që u grabit së fundmi në rrugën e Rinasit. Burime nga grupi hetimor thanë se sasia e valutës që u gjet në tenxheren me presion që ishte groposur në Bathore, dollarë, euro dhe paund, kapin vlerën e rreth 100 mijë dollarëve. Të njëjtat burime thanë se dyshimi që paratë ishin të grabitjes së fundit lindi që në momentin kur efektivët nxorën tenxheren nga gropa ku ishte fshehur.
Një e përditshme shkruan se gjurmët e fshehjes në oborr ishin të freskëta, gjë që sipas tyre tregonte se paratë nuk kishin shumë kohë që ishin futur aty. Por verifikimi një nga një i të gjitha kartëmonedhave të sekuestruara konfirmoi faktin se i përkasin grabitjes së ndodhur më 9 shkurt të këtij viti.
Ndërsa asnjë prej tyre nuk ka rezultuar e grabitjes së mëparshme, të ndodhur më 3 dhjetor 2015. Vetë i arrestuari nuk ka pranuar ende të flasë para hetuesve, duke preferuar që paraprakisht të mos japë shpjegime për ngjarjen, apo edhe prezencën e parave në oborrin e shtëpisë së tij në Bathore të Tiranës. Deri tani, pjesa më e madhe e parave që janë sekuestruar në kuadër të operacionit “Patriot” i përkasin grabitjes së parë, të ndodhur në rrugën e Rinasit.
HETIMET
Burime nga grupi hetimor thanë se, ndryshe nga të arrestuarit e tjerë që kanë pranuar dhe treguar vendet ku i kishin fshehur paratë e grabitura, 35-vjeçari Admir Çerpja nuk ka pranuar të flasë. Megjithatë, paratë që ai kishte fshehur u arrit të gjendeshin të shtunën, disa orë pas arrestimit të tij në Zall-Dardhë të Dibrës.
Të njëjtat burime konfirmuan se përgjimi i bisedave të familjarëve, të cilët po gjurmoheshin gjatë kohës kur Çerpja ishte ende në kërkim, i ka çuar oficerët e Policisë në zbulimin e vendndodhjes së tenxheres me para. Pasi janë marrë në pyetje, ata kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për para të fshehura, por kanë treguar vendin ku kishin parë 35-vjeçarin duke gërmuar.
Në këtë formë, me orientimin e tyre është bërë e mundur gjetja e shumës prej 100 mijë dollarësh. Burimet thanë se vijojnë hetimet për administrimin e të tjera provave që lidhin jo vetëm Çerpjen, por edhe pjesëtarët e tjerë të grupit me dy grabitjet për të cilat ata dyshohen.
Nga ana tjetër, aksioni i Policisë vijon, si në terren, ashtu edhe me informacione operative për kapjen e “kokës” së grupi të grabitjeve, Admir Muratajt. Veprimet e Policisë janë shtrirë në disa qytete e fshatra të vendit, në Veri dhe në Jug, por edhe në rrethinat e Tiranës.