Katër persona janë arrestuar pas finalizimit të operacionit policor antidrogë të koduar “Green”. Në pranga përfunduan Gazmend Hoxha, Saimir Gerbaj, Aleksander Kili dhe Orgest Beqo.
Gjatë kontrollit në automjetin ku udhëtonin këta u gjetën dy çanta të mbushura me kanabis me peshë 19.30 kg, ndërsa 50-vjeçari, Gazment Hoxha gjatë ndërhyrjes policore, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe nuk është bindur ndaj urdhrave të tyre.
Ndërkohë gjatë kontrollit të banesës së Aleksandër Kili, u gjet një armë zjarri pushkë, 200 fara të dyshuara narkotike kanabisi. Lënda narkotike së bashku me sendet e tjera të jashtëligjshme, 2 automjete e 7 aparate celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Sekuestrohen 19 kg kanabis, vihen në pranga 4 shtetas.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, ndjekur me metoda speciale të hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dhe në zbatim të masave të planeve operacionale “Tempulli 3”, dhe “Sundimi i ligjit” ka organizuar dhe ka finalizuar operacionin policor të koduar “Green”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve:
– G. H., 50 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”;
– A. K., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
– S. G., 54 vjeç, dhe O. B., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Kasem Shima”, një automjet tip “Benz”, dhe gjatë të tij, në bagazh, gjetën dhe sekuestruan 2 çanta të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë 19.30 kg, ndërsa shtetasi G. H., gjatë ndërhyrjes, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe nuk është bindur ndaj urdhrave të tyre.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. K., shërbimet e Policisë, gjetën një armë zjarri pushkë, 200 fara të dyshuara narkotike kanabisi. Lënda narkotike së bashku me sendet e tjera të jashtëligjshme, 2 automjete e 7 aparate celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.