3 mjekë veterinerë janë pezulluar nga puna për shkak se janë kapur me shkelje nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
AKU njofton se iu ka hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit mjekëve në Bilisht, Durrës e Pogradec.
Njoftimi i AKU:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vazhdim të masave për disiplinimin e therjes së kafshëve dhe tregtimit të mishit, ka konstatuar se janë bërë shkelje edhe nga vetë mjekët veterinerë. Pas verifikimit të shkeljeve, është njoftuar Urdhri i Mjekut Veterinar të Shqipërisë, për tre raste, për Bashkinë Bilisht, Bashkinë Durrës dhe Bashkinë Pogradec.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit përkatës për veprimet e kryera nga mjekët veterinarë, u gjend se veprimet ishin në kundërshtim me Kodin e Etikës Profesionale, bazuar në nenin 18, pika 1,3 të ligjit nr.113 vitit 2015 “Për urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar”. Ndaj tyre u mor vendimi që t’i hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit të mjekut veterinar për një periudhë të caktuar mujore, bazuar në shkeljet e kryera.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se do të vazhdojë të jetë konstant në evidentimin e çdo shkelje që mund të bëhet qofshin këto nga mjekët veterinerë apo prodhuesit, tregtuesit e produkteve ushqimore, me qëllim rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje të gjithë konsumatorëve që për çdo shqetësim në lidhje me sigurinë ushqimore, të denoncojmë pranë portalit online Inspektori Digital, ku mund të denonconi nga çdo smartphone ose në emailin zyrtar të AKU-së [email protected].
(E.K/FAXWEB)