Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur në një takim gazetarin, Julian Shota i cili para pak ditësh u kërcënua me jetë në krye të detyrës. Meta në fjalën e tij shprehu solidarizimin e tij të plotë me të gjithë komunitetin e gazetarëve.
“Dënoj me ashpërsi rastet tronditëse të ndodhura së fundmi, të kërcënimeve dhe agresioneve ndaj gazetarëve. Inkurajoj gazetarin Shota dhe të gjithë gazetarët të vijojnë misionin e tyre me guxim, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush”, tha ai.
Presidenti dënoi edhe sulmet e hershme ndaj gazetarëve të tjerë si sulmi me armë ndaj gazetares Klodiana Lala dhe rrahja barbare ndaj Elvi Fundos.
“Çdo vonesë në zbardhjen e sulmeve ndaj tyre do të ndikojë negativisht në klimën e lirisë së shprehjes në Shqipëri. Kërcënimi me jetë i gazetarit, Julian Shota, sulmi me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares, Klodiana Lala dhe moszbulimi i autorëve të rrahjes barbare së gazetarit, Elvi Fundo, janë ngjarje tepër të rënda. Apel organeve të sundimit të ligjit, të hetojnë me shpejtësi, transparencë, në mënyrë të plotë e shteruese, të venë para ligjit këdo që qëndron pas tyre”, tha ai.
(J.D/Faxweb.al)