Banorët e pallatit nr.8, në lagjen nr.5 të qytetit të Durrësit kanë zhvilluar ditën e sotme një protestë përballë ambienteve të prokurorisë së qytetit, për shkak të mungesës së informacionit në lidhje me shembjen ose jo të pallatit të dëmtuar nga tërmeti. Banorët duke iu referuar inspektimit të dytë të kryer nga ekspertët kërkojnë shembjen e godinës për shkak të rrezikshmërisë që ajo shfaq, nga ana tjetër autoritet shtetërore shprehen se do të bëhet vetëm rikonstruksioni i pallatit.
Ky ngërç ka ngelur i pluhurosur në dosjen që ndodhet në sirtarët e prokurorisë së Durrësit, të cilët kanë mbi një vit që po ‘hetojnë’ dhe nuk kanë dal ende në një përfundim. Banorët e revoltuar kërkojnë më shumë informacion nga prokuroria mbi vendimin e bashkisë për të rikonstruktuar pallatin e dëmtuar rëndë.
“Është çështje shumë e komplikuar. Shumë herë e kemi ngritur problemin në pushtetin vendor dhe përgjigjja që kemi marrë është heshtja. Ne i kërkojmë prokurorisë të na jap informacion dhe të zgjidhë problemin tonë”, shprehet një banor i pallatit.
“E drejta e informimit është e drejtë themelore në të gjitha vendet e botës.
Jam pesionist marr një pesion qesharak dhe kanë paguar me taksat e mia gjithë jetën këta prokurorë, që nuk na japin as informacion. Pallati është për t’u shembur, pasi erdhën ekspertët nga Instituti dhe topografët, në vlerësimin e dytë të bërë, pohuan se pallati nuk mund të rikonstruktohet. Ne akoma nuk kemi marr informacion për këtë çështje nga ana e prokurorisë”, shprehet një i moshuar banor i pallatit.(F.M/Faxweb.al)