Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange është arrestuar pasi ishte dëbuar nga ambasada e Ekuadorit në Londër. Arrestimi vjen pasi ai qëndroi shtatë vite në këtë ambasadë.
Së fundi Ekuadori ia mohoi kërkesën për azil dhe tani ai duhet të dalë përpara gjykatës. Një zyrtar i lartë britanik komentoi lajmin duke thënë se askush nuk është mbi ligjin. Ai falenderoi Ekuadorin për bashkëpunimin.
Mirëpo video e momenteve të daljes së Assange nga ambasada ka bërë xhiron e mediave, teksa Assange thirri: Rezistencë!
“Julian Assange, 47-vjeçar, u arrestua sot më 11 prill nga policia në ambasadën e Ekuadorit”, u tha në një njoftim të policisë metropolitane.
Ndërkohë WikiLeaks reagoi duke thënë se vendimi i Ekuadorit ishte i paligjshëm, pasi bie në kundërshtim me konventat ndërkombëtare.
Australiani ishte ngujuar në ambasadën e Ekuadorit që prej vitit 2012, ku kishte fituar azil si pjesë e një përpjekje për të shmangur ekstradimin në Suedi. Atje, Assange do përballej me akuza për sulm seksual.
Kjo çështje është pushuar, por Assange druhet se do e ekstradojnë në SHBA, ku duhet të përgjigjet për dokumentet që ka publikuar në WikiLeaks. Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat.