4 mjekë të spitalit të Durrësit janë futur në vetëkarantinë, për shkak se një paciente mbi 60-vjeç është zbuluar pozitive me koronavirus, gjë e cila ka bërë që dhe mjekët të jenë përballë një ekspozimi të pazakontë.
Gruaja, e cila kishte rreth dy javë që ishte kthyer nga Italia, ndodhej e shtruar prej 6 ditësh në repartin e terapisë intesive në Durrës, ndërsa fillimisht ishte kuruar për pneumoni.
Burime bëjnë me dije se ajo ka qenë në dhomë dhe me pacientë të tjerë, dhe kjo mund të shtojë shumë rrethin e të infektuarve. Të njëjtat burime pohojnë se u janë marrë mostrat për COVID-19 të gjithë stafit të repartit të pathologjisë në spital.
Pavarësisht frikës nga ky rast, gazetarja e Fax News Albana Aliaj thotë se shumë prej qytetarëve nuk vendosin ende maska kur drejtohen për në spital, pasi në shumë prej farmacive të qytetit ato nuk gjenden më tashmë.
Lidhur me pacienten e cila është konfirmuar me koronavirus, ajo ka pasur dhe probleme me veshkat, ndërsa gjatë kohës që ishte shtruar në spitalin e Durrësit kishte gënjyer, dhe e kishte fshehur udhëtimin drejt Italisë.
4 familjarë të saj dhe kontakte, mbërritën mbrëmjen e djeshme në spitalin Infektiv në Tiranë, për shkak se edhe pse e kishin telefonuar 127 nuk iu ishte përgjigjur, për të bërë testin nëse e mbartin apo jo koronavirusin, që derimë tani ka vënë në panik të gjitha vendet e zhvilluara të botës.
Po ashtu lidhur me rastin e pacientes së prekur nga koronavirusi, mbrëmjen e djeshme u tha se ajo kishte marrë pjesë në një ceremoni mortore, ndërsa derimë tani ky është rasti me simptomat më të rënda nga te gjithë të prekurit.