Një biznesmen nga Tirana rrezikon të dënohet me 15 vite burg, pasi akuzohet se ka mashtruar disa persona duke u marrë rreth 1 milion dollarë.
Biznesmeni Fotaq Semi, u ka marrë paratë me fajde të paktën 5 miqve dhe familjarëve të tij, me pretekstin se do të investonte në biznes, blerje pronash të paluajtshme apo hapje të linjave të prodhimit të produkteve ushqimore.
Mësohet se shuma e konsiderueshme prej 1 milion dollarësh, u mor nëpërmjet mashtrimit gjatë viteve 2012-2013.
Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se biznesmeni u kërkonte shuma të mëdha shokëve dhe miqve të tij, me disa prej të cilëve njihej që nga bankat e shkollës.
Sipas të dhënave, ai ka shfrytëzuar besimin e tyre, të cilët e kuptuan mashtrimin vetëm kur biznesmeni kishte tentuar vetëvrasjen duke prerë damarët.
Pas kësaj, ata e kanë denoncuar atë në polici, por këta të fundit nuk gjetën asnjë llogari në emër të Semit, dhe akoma nuk dihet se ku kanë përfunduar paratë. (D.D/Shuplaka)