Zeljko Buvac ka qenë njeriu më i besuar i trajnerit gjerman Jurgen Klopp, krahu i tij i djathtë për gati dy dekada. Ata punuan së bashku për 17 vite me radhë, duke nisur bashkëpunimin që nga Mainz e më pas te Borussia Dortmund e së fundi te Liverpool. Por kjo marrëdhënie u prish krejt papritur në prill të 2018-ës dhe Buvac braktisi Klopp nga detyra e asistentit.
Sot, Buvac ka ngritur zërin dhe ka dalë kundër mjeshtrit Klopp, duke thënë se praktikisht punën në këto 17 vite që ata kanë punuar së bashku e ka bërë ai. Buvac tha se “truri” i skuadrës ka qenë ai dhe jo Klopp. Ai tha se Klopp ka qenë njeriu i medias, ai që njerëzit donin të shihnin para kamerave, pasi të gjithë punën në fushë e bënte stafi i tij.
Në një intervistë në YouTube, ai tha: “Të gjithë punën e kam bërë unë, me përjashtim të intervistave. Më duket sikur kam qenë unë trajneri në këto 17 vite që kam qenë me Klopp. Të gjitha funksionet i kisha unë dhe përpiqesha të influencoja te skuadra sa më shumë të kisha mundësi, për ta ndihmuar Klopp të kishte sukses. Gjithsesi, unë kurrë nuk mora meritat e duhura”, tha Buvac.