Dhjetëra qytetarë, kanë protestuar në qytetin e Prizrenit, Marashin e Vjetër, në vendin ku para disa ditësh u tentua të përdhunohej një femër.
Tuba Kaçamaku, iu bashkua protestës për ta ngritur zërin kundër ngacmimeve seksuale të femrave. Ajo rrëfen se si kishte raportuar dy herë në polici rastet e ngacmimit që kishin ndodhur ndaj saj. E policia siç thotë ajo, ende nuk ka nisur ndonjë procedurë ligjore ndaj personave të njohur tashmë për ta.
Protesta u thirr nga organizata “FEMaktivi”, drejtuesit e së cilës thanë se këto raste duhet të shërbejnë si alarm për institucionet lokale që të ndërmarrin hapa në drejtim të parandalimit të tyre.
Protestës i ishin bashkuar edhe disa qytetarë, të cilët bënë thirrje që raste tilla të mos ketë në Prizren.
Në bazë të një raporti rreth sigurisë së grave në hapësira publike në Prizren, del që 70% e grave nuk ndihen të sigurta në hapësira publike, ndërsa 76% prej tyre janë ngacmuar gjatë shfrytëzimit të këtyre hapësirave.
Protestuesit kanë kërkuar që këto rrugë të kenë ndriçim publik dhe të bëhet vendosja e kamerave dhe prani të, siç e quajnë ato, të “policisë sociale” .