Avioni që transportonte Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio në Gjermani për Konferencën e Sigurisë në Mynih u detyrua të kthehej në bazë të enjten për shkak të një “çështjeje mekanike”, thanë zyrtarët. Rubio ishte rrugës për në konferencë kur avioni u kthye papritur në bazën e përbashkët Andrews, pak jashtë Uashingtonit.
“Aeroplani në të cilin po fluturonte Sekretari Rubio pati një problem mekanik,” tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce, cituar nga AFP. “Aeroplani është kthyer dhe po kthehet në bazën e përbashkët Andrews. Sekretari synon të vazhdojë udhëtimin e tij në Gjermani dhe Lindjen e Mesme me një avion tjetër”, shtoi ajo.
Incidenti në bordin e Boeing C-32, një variant i konvertuar i Boeing 757, ndodhi rreth 90 minuta pas fluturimit dhe avioni u ul i sigurt pak para orës 22:00 ET. Autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar shkakun e saktë të mosfunksionimit, por sipas një raporti të AP, çështja lidhej me xhamin e kabinës.
Presidenti Donald Trump njoftoi të enjten se përfaqësuesit e “nivelit të lartë” të SHBA do të takohen me homologët e tyre rusë në Konferencën e Sigurisë në Mynih të premten për të diskutuar një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë.
“Ata do të kenë një takim nesër në Mynih. Rusia do të jetë atje me njerëzit tanë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Ai shtoi se “Meqë ra fjala është e ftuar edhe Ukraina”, por nuk specifikoi formatin e takimit apo nuk sqaroi nëse do të ishte një dialog trepalësh apo një seri bisedimesh dypalëshe.
Konferenca e Sigurisë së Mynihut do të mbahet nga 14 deri më 16 shkurt në Mynih. Rubio ishte rrugës për t’u bashkuar me Zëvendës Presidentin e SHBA JD Vance, i cili tashmë është në Gjermani duke udhëhequr delegacionin amerikan. Vance pritet të takohet me presidentin ukrainas Volodymyyr Zelensky gjatë konferencës.
Senati amerikan konfirmoi Rubion si sekretar të shtetit vetëm disa orë pasi Trump u betua më 20 janar. Udhëtimi në Gjermani për të diskutuar konfliktin e Ukrainës është udhëtimi i tij i dytë jashtë shtetit në këtë cilësi. Më pas ai do të udhëtojë në Izrael, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të diskutuar konfliktin e Gazës.