Safet Gjici ka reaguar në lidhje me incidentin e djeshëm ku u përfshi vëllai i tij, Lavdrim Gjici, shoferi i këtij të fundit me një grup qytetarësh në mbështetje të kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë”, Admir Sinamati. (lexo)
“E para dielli me shoshë nuk mbulohet, njerëzit tonë dalin në territor për të kontrolluar, madje dhe furgonin e bandës që dalin dhe kërcënojnë, thyejnë reklamat tona dhe blejnë vota ditën për diell. Banda e kandidatit të non gratës janë çdo ditë si hiena për të blerë vota, për të bërë shantazhe, në video tregohet qartë që s’ka as armë as blerje votash.
Jam para jush jam për të treguar dhe demokratëve të ndërshëm se ja me kë keni të bëni, me partinë e non gratave. Në lidhje me rastin e mbrëmshëm ne jemi në kontroll të territorit dhe bandave që janë pranë kandidatit të non gratave”, u shpreh Gjici.
Por në deklaratën e tij Gjici është shprehur se i ati i Admir Sinamatit, ka firmosur për të dënuar në periudhën e komunizmit shumë qyetarë kuksianë, nxjerrë nga dosja të cilën e ka publikuar një ditë më parë në media.
“Është një gjë shumë e rëndë në fakt, dhe ai nuk iu tregoi qytetarëve, demokratëve, kush është në të vërtetë Admir Belul Sinamati. Tregoje jetën e vet familjare sepse ne nuk i dinim të gjitha çfarë ka bërë Belul Sinamati por në emër të popullit paska firmosur për të dënuar 8 qytetarë kuksianë dhe janë shokuar qytetarët kur i biri i të atit ka dënuar 8 por dhe më shumë qytetarë. Por kuksianët e kuptojnë që nuk është zgjedhja më e mirë Admir Sinamati dhe çfarë do të bëjë dhe të mblidhet me banda me makina me xhama të zinj dhe targa të huaja. I bëj thirrje policisë të bllokojë të gjithë makinat me xhama të zinj dhe targa të huaja. Ne kemi video të këtyre mjeteve që po shantazhojnë banorët e shumë njësive dhe do i dorëzojmë tek autoritetet. ”