Deputetja demokrate Majlinda Bregu e ka kristalizuar tashmë qëndrimin e saj në Partinë Demokratike se bojkoti dëmton opozitën por duke dhënë edhe kritika konkrete për kryeopozitarin Basha.
Në 7 maj, Bregu ka marrë pjesë në aktivitetin për Ditën e Europës, që u organizua në Gjirokastër ku ishte i pranishëm kryeministri Rama dhe ambasadorja e BE-së në vendin tonë Romana Vlahutin.
Kjo u pa nga ana e opinionistëve dhe qytetarëve si një afrim i saj me Ramën në një kohë kur me partinë e saj ajo është më kritike se kurrë. Bregu u shfaq në një foto krah Blendi Çuçit duke ndjekur me vëmendje Ramën që po ligjëronte nga Kajala e Argjirosë.
Por cfarë mendonte Majlinda Bregu për Ramën në vitin 2013 teksa ky i fundit ishte në opozitë?
Në 11 maj të vitit 2013 Bregu shkruan këtë postim në rrjetet sociale:
Mbrëmë në ORA News, Edi Rama bëri pyetjen “A e dini se çfarë shkatërrimi ka sjellë kjo politikë?” Atëherë, nëse Edi Rama dëshiron të dijë për politikën shkatërruese, mjafton të shohë veten në pasqyrë. Sepse për 211 ditë, Rama ka bllokuar tre ligjet që duhen për integrimin në BE dhe realizimin e prespektivës europiane të gjithë shqiptarëve. Çdo herë që Kuvendi është mbledhur gjatë këtyre 211 ditëve, Ramës i është kërkuar të lejojë votimin e tre ligjeve, por çdo herë ai ka refuzuar. Madje, vitin e kaluar ne na u dha statusi i vendit kandidat, por Rama, me bllokimin e tij, bëri ç’mos t’i mohonte Shqipërisë dhe shqiptarëve këtë status.
Dhe kur e pyetën mbrëmë se pse po i bllokon tre ligjet, Edi Rama nuk mundi as të trillojë një justifikim, sepse edhe alibitë e pakuptimta për sjelljen e tij shkatërruese i kanë mbaruar. E megjithatë, Edi Rama vazhdoi të mos u japë qytetarëve një shpjegim se pse u ka mohuar miliona euro investime të BE-së dhe mijëra vende pune që vijnë me integrimin. Rama refuzoi sepse nuk ka as moral dhe as ndonjë arsye domethënëse për të kundërshtuar. E gjitha ajo çka thotë Edi Rama janë justifikime të paarsyeshme, të trilluara në sallonin e tij mavi. Por tani është mëse e qartë se Rama, paturpësisht vazhdon të bllokojë tre ligjet me të vetmin qëllim: që të pengojë integrimin në BE. Edi Rama ka vetëm një shqetësim dhe një qëllim të vetëm: veten e tij dhe luftën për pushtet në Partinë Socialiste.
Kështu, ndërkohë që Edi Rama vazhdon bllokimin, qytetarët presin. Ndërkohë që Edi Rama vazhdon politikën shkatërruese, ëndrrat europiane të qytetarëve mbahen peng.
Ja pra cili është njeriu që kërkon të bëhet kryesministër, që s’ka të krahasur me kryeministrin Berisha, që ka bërë gjithçka që proçesi i integrimit të vijojë sukseshëm drejt integrimit europian. Dhe nuk do të reshtim deri sa Shqipëria të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Europian dhe deri sa qytetarët të kenë të gjithë zhvillimin dhe të mirat që vijnë bashkë me të.
Duket qartë se retorika e Bregut ka pasur një metamorfozë të madhe në drejtim të Ramës që tashmë pretendon të marrë mandatin e ri si kryeministër pas 18 qershorit.
A po afrohet Bregu me Ramën pas përplasjeve në PD?
Kjo mbetet për tu parë nga aksioni politik që do të marrë Bregu në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe si do të jetë jeta e saj politike në PD.
(M.D/Shuplaka)
Discussion about this post