Është konfirmuar në detyrë gjykatësi i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Dhimitër Lara. Vendimi u dha pak minuta më parë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Etleda Çiftja.
Lara ka kaluar me sukses të treja shtyllat e rivlerësimit që janë pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale, duke hedhur në këtë mënyrë poshtë dhe pretendimet e vëllezërve Orik dhe Laert Shyti të cilët ngritën pretendime se ndaj tyre disa vite më parë ishte dhënë një dënim nën “korruptim politik”. (Lexo edhe ketu)
Çfarë ndodhi në seancën dëgjimore në KPK:
Gjyqtari Dhimitër Lara mori një relacion pozitiv nga Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, sipas së cilit ai kishte kryer deklarim të saktë dhe nuk kishte fshehje të pasurisë apo konflikt interesi.
Por relatorja Shuli tha në seancë se ishin evidentuar pasaktësi sa i përket blerjes së një apartamenti 66 m2 + 25 m2 shtesë anësore të blerë në vitin 2006 në vlerën 7.5 milionë lekëve në Tiranë, me burim 3.4 milionë lekë e përftuar nga shitja e një apartamenti tjetër në qytetin e Durrësit dhe huaja e marrë në një bankë në vlerën e 5 milionë lekëve, tashmë e likujduar.
“Kur subjekti e ka blerë apartamentin në Tiranë nuk e ka pasur shumën 2.55 milionë lekë pasi apartamenti në Durrës është shitur një muaj më vonë,” tha relatorja.
I pyetur nga Komisioni, subjekti ka deklaruar se tre ditë para kontratës së blerjes ka tërhequr nga një llogari e tij bankare shumën prej 1.2 milionë lekësh, ndërsa pjesën tjetër e ka marrë bashkëshortja hua nga motra e saj dhe ia ka kthyer kur kanë shitur apartamentin në qytetin e Durrësit.
Sipas relatores Firdes Shuli, subjekti ka deklaruar se motra e bashkëshortes, A.B., ka pasur aktivitet për shitje me pakicë nga viti 2003 deri në vitin 2006 me lëvizje në vlerën 9 milionë lekë dhe se për këtë periudhë janë paguar edhe tatimet përkatëse. Por, sipas Komisionit, subjekti nuk ka konkluduar dot në fitimin e huadhëneses nëse ajo ka pasur mundësi për të dhënë këtë shumë parash.
Lidhur me këtë fakt, relatorja Shuli shtoi se gjyqtari Lara ka depozituar dokumente e deklarime të cilat do të shqyrtohen para dhënies së vendimit. Për huanë 5 milionë lekë të marrë nga Banka Popullore, komisioni i ka gjetur të rregullta deklarimet e gjyqtarit Lara me rezultatet e hetimit administrativ.
Për depozitën 7-vjeçare në BKT në vlerën e 19 milionë lekëve, ku gjyqtari Lara është bashkëpronar me nënën e tij, secili në masën 50%, ai ka deklaruar si burim krijimi transferimin e shumës 21 milionë lekë nga Banka Amerikane e Investimeve. Kjo pasuri është krijuar nga shpronësimi i një pasurie të paluajtshme, ku nëna e tij ka qenë bashkëpronare të cilën e kanë përfituar nga kthimi dhe kompenzimi i pronave . Nga hetimi nuk janë evidentuar pasaktësi për këtë pasuri.
Nga gjyqtari Lara janë deklaruar likuiditete në BKT, në shumën 743 mijë lekë pjesë takuese 100%. Subjekti ka një hua pa afat 1 milion e 3 mijë lekë marrë nga tezja e tij. Gjatë hetimit, u vërtetua se kjo shumë ka kaluar në bankë nga shtetësja P.Z., për shlyerjen e kredisë. Komisioni ka gjetur edhe një kontratë huaje sipas së cilës kunati i ka dhënë Larës shumën 1.5 milionë lekë për shlyerjen e kredisë. Kjo hua është shlyer nga subjekti tërësisht.
Nga hetimi ka rezultuar se Lara ka qenë i saktë në deklarimin e marrjes dhe shlyerjes së saj. Shtetasi që i ka dhënë hua, rezulton se nuk ka shpërndarë dividend edhe pse ka pasur një aktivitet privat me kapital 24 milionë lekë dhe qarkullim 30 milionë lekë nga viti 2000 deri në vitin 2010.
Sipas relatores Shuli, subjekti ka dhënë shpjegimet e tij për këto konstatime, duke dorëzuar prova që vërtetojnë fitimin neto të shoqërisë së administruar nga personi që i ka dhënë huanë. Sipas komisionit, kjo hua vërtetohet edhe nga banka dhe se nuk kanë rezultuar probleme.
Në lidhje me pastërtinë e figures, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Edhe nga hetimi nuk ka pasur të dhëna që subjekti është përfshirë në kontakte të papërshtatshme apo afera korruptive.
Në lidhje me aftësitë profesionale, ka rezultuar se gjyqtari është vlerësuar pozitivisht nga KLD, edhe nga verifikimi i KPK, nuk kanë rezultuar problematika në pesë dosjet e shortuara dhe në ato tre të përgjedhura nga vetë subjekti i rivlerësimit.
Gjatë shpjegimeve që gjyqtari Dhimitër Lara dha gjatë seancës dëgjimore lidhur me gjetjet e komisionit për deklarimin e pasurisë, theksoi se duhet të vlerësohet ligjshmëria e burimit të shlyerjes së huave. Sipas Larës, ai dhe të afërmit e tij kanë pasur burime të ligjshme për dhënien dhe shlyerjen e huave.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post