Burime policore bëjnë me dije për Faxweb.al se vdekja e Rajmonda Tolës dhe dy fëmijëve të saj në Bulqizë, ka ardhur si pasojë e tymit të sobës së zjarrit.
Familjarët e tyre shprehen se viktimat kanë pasur marrëdhënie të mira me të gjithë, dhe e përjashtojnë kategorikisht helmimin nga persona të tjerë.
Edhe vajza 16 vjeçare e cila u kurua në Tiranë, kishte pasur probleme që ishin shkaktuar nga asfiksia e tymit, të sobës së zjarrit. Policia pritet që të marrë në pyetje vajzën, në mënyrë që të hedhë më shumë dritë për ngjarjen.
Në ditën kur ndodhi tragjedia e trefishtë, dyshimet e para ishin që vdekjet kishin ardhur si pasojë e rrjedhjes së gazit, pistë që më pas u përjashtua, për shkak se bombula ndodhej në ambientet e jashtme të shtëpisë.
Një tjetër pistë që u nxor dje në media, ishte dhe ajo e helmimit me pesticidë bujqësor, pasi në një prej dhomave të banesave ishte gjetur helm që përdorej në bujqësi, konkretisht për patatet. Por kjo pistë është rrëzuar si nga familjarët, ashtu dhe nga grupi hetimor që po heton tragjedinë.
Ndërkohë që policia ka marrë në pyetje dhe kunatën e viktimës, e cila ka treguar sesi gjeti tre trupat e pajetë. Një natë më parë Rajmonda Tola dhe tre fëmijët e saj, kishin qenë te banesa e kunatës, dhe rreth orës 22:00 ishin kthyer në banesën e tyre, ku dhe më pas do të ndodhte tragjedia.
(E.K/Faxweb.al)