Gazetarja Edona Haklaj ka qenë e ftuara e moderatorit Rezear Xhaxhiu në Fax News, ndërsa ajo ka gdhirë netët e saj nga sheshi i Teatrit Kombëtar duke raportuar me muaj të tërë kauzën e artistëve dhe aktivistëve për të mos lejuar shembjen e kësaj godine. Ajo sikurse zakonisht edhe mbrëmjen e kaluar dhe gjatë ditës së sotme është gjendur po aty, ndërsa gjatë raportimit pas një prononcimi të aktorit Mehdi Malka, ajo u përlot.
Haklaj tha se karriera e saj në gazetari ka nisur pikërisht tek Teatri Kombëtar dhe se përlotja e saj në transmetim live mbase në një media tjetër do t’i kushtonte vendin e punës.
Duke folur për historinë e përplasjes së madhe mes pushtetit dhe artistëve, gazetarja tha se është pikërisht politika ajo që e përçau këtë kauzë, ndërsa në opinionin publik u përceptua si politike për shkak të marrëveshjes që Aleanca bëri me Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj.
“Kishim sinjalizime që do të shembej, mu tha nga burime të sigurta se në orën 2 të natës do të ndodhte, kaloi kjo orë, erdhi ora tre dhe menduam se nuk do të ndodhte. Ka qenë bërë një gjysëm ore në një kotje gjumi kur më ka rënë telefoni. Ishte një emocion që në fakt duhet të përmbahemi por që ishte një dobësi. Më dhimbti Teatri sepse në Fax News jam futur për shkak të Teatrit. Ishte raportimi im i parë në Teatrin Kombëtar dhe bëhej fjalë për një peticion. Të gjithë e mbajmë mend raportimin e parë në profesionin tonë, ndërsa kur e shikon që shembet natyrisht që e ndjen atë që ndodh.
Në Teatër kam qenë pafundësisht, për shfaqje por edhe për kronika. Mehdi Malka ishte i pari që i riktheu disi buzëqeshjen Teatrit ndërkohë që ishte mbyllur çdo shfaqje dhe për herë të parë e pamë të tejmbushur.
Ishte i frikshëm nervozizmi i policisë. Mendoj se mes Qeverisë dhe Bashkisë ka një luftë personale. Vetë kryeministri dhe kryebashkiaku e kanë kthyer në një qëllim. Ajo çfarë policia ka bërë jo vetëm sot, edhe vitin e kaluar më 24 Korrik, Edmond Budina është tërhequr zvarrë. A janë urdhërat e tillë, apo policia jonë është kthyer në një vegël, pavarësisht se nuk do doja diçka të tillë, por kështu duket. Nuk mund të prekësh intelektin e kombit sado të paktë të jenë në numër.
Unë mendoj se politika e ka përçarë këtë kauzë, mendoj se nga ana tjetër ata nuk ia dilnin të vetëm. Kur Aleanca bëri marrëveshje me Bashën, opinioni publik nisi ta quante si një kauzë partiake dhe e zbehu në këndvështrimin publik. Nuk e kisha menduar, kisha një bindje se ndoshta nuk do të shembet, kjo për shkak të rezistencën 2-vjeçare, pse nuk e shembën që në fillim mendoja? Por sërish kisha filluar të kisha frikën se do të shembej duke marrë parasysh edhe këmbënguljen e kryebashkiakut.
Më e çuditshmja është se ka pasur një nisje hetimi nga SPAK ndërkohë që vjen në orët e para të mëngjesit vendimi final, ç’ka bën jo funksionale drejtësinë shqiptare. Ndoshta një veprim i tillë, për faktin që lotova të kisha qenë në një vend tjetër do të më kishte kushtuar vendin e punës”, tha Haklaj.
(F.GJ/FAXWEB.AL)