Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë ishte i ftuar në emisionin “Opinion”, ku përballë kishte një panel gazetarësh, mes tyre edhe Klodiana Lala.
Lala dhe Rama u përplasën disa herë, ku nuk munguan intimidimet dhe fyerjet e kreut të qeverisë ndaj saj.
Së fundmi, gazetarja investigative ka folur për përballjen e saj me kryeministrin Rama.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Skype për emisionin “A-Show” në T7, Lala theksoi se kryeministrat do të ndërrohen, ndërsa ajo do të mbetet gazetare, duke shtuar se raportin e ka me të vërtetën, me publikun, bazuar në prova dhe fakte.
Ajo zbuloi edhe një tjetër prapaskenë, që nuk u pa në kamera. Lala tha se Rama nuk i dha as dorën pas përfundimit të emisionit.
Më tej, ajo theksoi se si gazetare që mbulon kronikën e zezë, e pa të arsyeshme t’i kërkonte llogari shefit të qeverisë se pse nuk është bërë asgjë.
“Unë raportin e kam me të vërtetën, me publikun dhe e kam me provën dhe me faktin. Dhe kjo më bën të jem i qetë përballë tij dhe cilitdo politikan që mund të përballet nesër. Kryeministrat do të ndërrohen ndërsa unë jam dhe do të mbetem një gazetare. Nuk ja shtrënguam dorën njëri-tjetrit. Jo për fajin tim, por sepse kryeministri nuk e dëshiroi një gjë të tillë. Unë u përballa me të për disa problematika, shqetësime që për mua si gazetare e kronikës dhe që mbuloj kronikën e zezë mendoj se duhej t’ia thoja dhe ti kërkoja llogari pse nuk është bërë asgjë.”-tha Lala.