Është gjetur i pajetë në garazh punonjësi i gardës, Shkëlzen Qordja, 31-vjeç, shoferi i Fatmir Xhafajt.
Ai u gjet i pajetë me një plumb në kokë, brenda makinës që është në pronësi të Gardës së Republikës, në garazhin e instutitucionit.
Brenda në makinë është gjetur një armë pistoletë. Paraprakisht bëhet me dije se punonjësi i gardës mund të ketë vrarë veten. Në vendngjarje mësohet se ka shkuar dhe prokurori i çështjes Albert Demirneli.
Sipas burimeve mësohet se i riu ishte pezulluar dy ditë më parë nga puna, mirëpo kjo nuk konfirmohet nga ana e gardës së republikës, në njoftimin e së cilës thuhet se i riu kishte si detyrë funksionale shofer i ministrit të brendshëm.
Garda e Republikës – Njoftim për media
Sot rreth orës 09:30 të mëngjesit, në garnizonin e Gardës së Republikës është gjetur i pajetë brenda garazhit, të caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, gardisti me detyrë funksionale shofer i Ministrit të Brendshëm, shtetasi Sh.Q., 31 vjeç.
Trupi i pajetë u konstatua nga punonjës të Gardës. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është duke punuar për të qartësuar shkaqet e ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave.
(E.K/FAXWEB.AL)