Është zbardhur dëshmia e Afërdita Lazes, e cila së bashku me bashkëshortin e saj, Petritin, mbetën të plagosur mbrëmjen e djeshme, gjatë një tentative për të grabitur banesën e tyre, në zonën e Alliasit në Tiranë.
Autorët sipas Lazes dyshohet se kanë qenë dy, të rinj, të cilët mendohet se kanë pasur njohje me çiftin e biznesmenëve, sa kohë që kanë shkuar direkt në vendin ku familja mbante paratë.
Nuk dihet ende nëse autorët kanë arritur që të marrin para nga banesa, ndërsa ata kanë mundur që të largohen nga shtëpia, duke lënë të plagosur çiftin.
Ndërkohë që Afërdita Laze, gjendja e të cilës është e qendrueshme, ka treguar se autorët kanë qëlluar fillimisht në drejtim të bashkëshortit të saj.
“Ishim në dhomë. Dëgjuam një zhurmë dhe vajzën që bërtiti “kush është aty?”. Doli Petriti të shihte kur u ndesh në korridor me 2 veta të maskuar. Dukeshin të rinj. Ata bërtisnin vetëm “lekët, lekët” dhe i drejtuan pistoletën. Petriti tentoi ti nxirrje jashtë nga shtëpia dhe gjatë konfliktit fizik ata e qëlluan. Kur u afrova dhe mua më qelluan dhe ikën me vrap”, ka treguar Laze.
Çifti Laze ishin pronarë të dy furrave të bukës, në Allias dhe në zonën e Astirit në Tiranë, ndërkohë që katin e parë të banesës së tyre e kishin përshtatur si vend ku punoheshin brumërat. Pikërisht fakti që kati i parë ishte punishte ua ka bërë më të lehtë hyrjen në banesë të autorëve nga porta kryesore. (E.K/Faxweb.al)