Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka vizituar sot ambientet e Kryqit të Kuq në Durrës, ku tha se po bëhej mjaft përpjekje për të ndihmuar banorët që janë prekur nga tërmeri i 26 Nëntorit.
Kim tha se ajo kishte këmbëngulur që vizitën e saj të parë në Shqipëri ta kishte pikërisht në Durrës, ku tha se Amerika ka dhënë ndihma teknike dhe financiare, për të përballuar pasojat e tërmetit.
“Këmbëngula që vizita ime e parë të ishte në Durrës, donim ti shprehnim solidaritetin tonë popullit të Durrësit. Është e rëndësishme që miqtë të festojnë së bashku, por edhe të jenë bashkë në ditë të vështira.
Isha në zyrën e Kryqit të Kuq shqiptar, për të parë çfarë po bëhet për të zvogëluar pasojat nga tërmeti. Ndihma jonë financiare, teknike, mbërritën menjëherë pas fatkeqësisë. U preka shumë kur pashë kutitë e ushqimeve që janë të nevojshme për njerëzit, me vaj, makarona dhe produkte të tjera.
Jam shumë krenare që tregova që qytetarët amerikanë po ndihmojnë ata shqiptarë. Përveç personave të cilër erdhën për të shpëtuar njerëzit nën rrënoja, ne patëm inxhinierë që po shohin për pasojat. Faleminderit dhe njëherë për mikpritjen që më bëtë këtu në Durrës”, u shpreh Kim.