Klarisa Rexhvelaj, është studentja që është akuzuar gjerësisht se përzuri pedagogun Jani Marka nga protesta gjatë ditës së djeshme, madje duke u ushtruar dhe dhunë ndaj tij.
Ajo u akuzua si një militante e PD-së, ndërsa fotoja e saj me Lulzim Bashën u shpërnda gjerësisht në rrjet nga ana e Lëvizjes për Universitetin, ku bashkëdrejtues është dhe pedagogu Marka.
E ftuar në studion e Fax News Rexhvelaj është shprehur se Marka ka bërë thirrje për përçarje, dhe se ajo do ti drejtohet gjykatës për përdorimin e fotove që i është bërë.
“Pedagogu bëri thirrje për dhunë dhe për përçarje, tentova që të mos prekej pedagogu nga ana e personave të tjerë që ishin pjesë e turmës. Kjo pjesë është keqpërdorur nga pedagogu, duke thënë se do të më çojë në gjykatë dhe se unë isha militante e PD-së. Ka vënë në lëvizje të gjithë Lëvizjen për Univesitetin që të shpërndajë foton time me Lulzim Bashën.
Unë nuk kam asnjë lloj funksioni politik në forume, nuk e mohoj që vij nga një familje me prirje të djathta dhe që ka qenë e përndjekur nga regjimi komunist. Të gjithë studentët e njohin pedagogun Jani Marka, fjala nuk i është mohuar, nisi që të fliste për forumet politike dhe po kërkonte përçarje. Lëvizja për Universitetin ka përdorur pa të drejtë fotot e mija, dhe unë për këtë do ti drejtohem Gjykatës.
Asnjë nga studentët nuk është pro dialogut me kryeministrin Rama, ne kërkojmë që kërkesat tona të merren parasysh dhe të plotësohen”, u shpreh studentja.
Rexhvelaj theksoi se asnjë i ri nuk duhet të largohet nga protesta vetëm për shkak të bindjeve të tij personale, sa kohë që ato nuk i shfaq në shesh.
(E.K/FAXWEB.AL)