Disa ditë më parë në Shkodër ngelën të plagosur 3 persona nga një breshëri plumbash në qendër të qytetit. Mes tyre ishte edhe një vajzë 25 vjeçare e cila po fliste në celular, kur krejt rastësisht një plumb e preku në këmbë duke e lënë të plagosur.
Plagosja e saj ishte rastësore pasi autori Aurel Ahi qëlloi në drejtim të Doni Lisit. Në një intervistë për “Panorama” ajo tregon se rastisi në vendin e gabuar.
Por fillimisht emri i saj u lakua si e dashura e Don Lisit, por kjo nuk është e vërtetë edhe vetë Cungu e mohon një fakt të tillë. “Çfarë të them… që ndjehem fajtore që dola në rrugë apo se jam femër dhe nëse je pak e paraqitshme, të vendosin menjëherë etiketën me fjalët nga më fyeset apo të implikojnë në ngjarje që t’i nuk ke asnjë lidhje dhe ishe vetëm kalimtare. Kjo është e patolerueshme dhe duhet të ndryshojë”,- shprehet 25 vjeçarja për “Panorama”.
Më tej ajo tregon se kishte dëgjuar krisma dhe në një moment ndjeu në këmbë që ishte plagosur. “Dëgjova krisma. Fillimisht mu dukën si kapsollë fëmijësh. U ndala për momentin. Eca prapë dhe sërish dëgjova krisma. Kthej kokën dhe shoh njerëzit duke vrapuar. Pashë një grua që mori fëmijët e saj. Në atë moment ndjej këmbën e majtë që po më dridhej sikur të isha në korent. U ula në gjunjë…”, tjha ajo. (J.V/Shuplaka)