“U shiste pasaporta emigrantëve”, kandidatura e Bullgarisë në Komisionin Europian mund të ndezë debatet

Komisioni Evropian është pasuruar me një tjetër grua, pasi Bullgaria hoqi dorë nga kandidati mashkull për të plotësuar kërkesat e Presidentes Ursula von der Leyen. Por një polemikë e parë ka shpërthyer tashmë për emrin e propozuar me akuzat e vjetra për shitjen e pasaportave për emigrantët. Ekaterina Zaharieva, ish-ministre e Drejtësisë dhe e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, zyrtarisht u propozua nga kryeministri Dimitar Glavçev si komisionere në BE, duke tërhequr emrin e ish-ministrit të Mjedisit, Julian Popov, që ishte kandidat.

Bullgaria fillimisht kishte propozuar dy kandidatë pas kërkesës së von der Leyen, por presidentja i Komisionit i kishte kërkuar më pas në mënyrë eksplicite presidentit Glavçev që të propozonte Zaharieva si kandidate të vetme. Por në atë moment filloi debati. Kjo pasi politikania e partisë bullgare GERB, pjesë e EPP-së, u përfshi në një skandal të lidhur me shitjen e pasaportave bullgare në vitin 2018.

Siç raportoi në atë kohë Euractiv, një ish-zyrtar i imigracionit e kishte akuzuar gruan, ndërsa shërbente si Ministre e Drejtësisë, për pjesëmarrje në një mashtrim të kryer nga politikanë të tjerë të nivelit të lartë bullgar për të dhënë shtetësi në këmbim të parave. Zaharieva mohoi akuzat dhe nuk pati asnjë ndjekje gjyqësore, por kjo histori u përdor nga kundërshtarët e saj për ta kritikuar atë.

“Barazia gjinore është e rëndësishme, por prioritetet e presidentes von der Leyen janë edhe më të rëndësishme dhe Popov ishte padyshim zgjedhja e duhur”, tha Nikola Minchev, një eurodeputet dhe anëtar i partisë bullgare kundër korrupsionit “Le të vazhdojmë ndryshimin”. Minçev argumentoi se emri i Zaharievës ishte njollosur nga skandali i shitjes së paligjshme të pasaportave bullgare. “Me shitjen e pasaportave bullgare, shtetësia e BE-së u është shitur edhe njerëzve që kërkojnë të minojnë bashkimin tonë,” tha ai.

“Popov është një mbështetës i vendosur i Ukrainës, ndërsa Zaharieva ishte e përfshirë në një projekt gazsjellësi që lehtësoi agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës”, shtoi ai, duke iu referuar tubacionit TurkStream, i cili sjell gazin rus përmes Detit të Zi, duke kaluar përmes Bullgarisë, në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Qendrore.

Akuza për shitjen e pasaportave nuk është zyrtarizuar asnjëherë, por vjen nga informatorja, Katya Mateva, ish-drejtoreshë e Këshillit të Shtetësisë, e cila ka raportuar gjithçka në Euractiv, duke shtuar gjithashtu se ajo është përjashtuar sepse nuk ka dashur të marrë pjesë në veprën penale.

Ursula von der Leyen pritet të shpallë listën e plotë të anëtarëve të ekipit të saj të ardhshëm dhe portofolet që u janë caktuar javën e ardhshme në Parlamentin Europian. Aktualisht janë vetëm 10 femra në një ekip prej 26 anëtarësh. Prezantimi ishte planifikuar për këtë javë, por më pas në sekondën e fundit u zhvendos për javën e ardhshme pas një vonese në emërimin slloven, i cili duhet të kalojë në parlament. Pas prezantimit të ekipit, komisionerët do të duhet t’i nënshtrohen seancave dëgjimore me deputetët dhe më pas të marrin besimin e Dhomës. Bullgaria mban rekordin e komisionerëve të refuzuar nga Dhoma Evropiane, ndërsa do të shohim nëse Zaharieva do të ndihmojë në ruajtjen e këtij rekordi apo jo.

Para

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

 



Të Fundit