Besnik Muçi u shkarkua ditën e sotme nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Prokurori Besnik Muçi pati një reagim të ashpër ditën e sotme duke u shprehur se Vettingu ndaj tij duhej ndërprerë sapo u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Burime për gazetën Shqip, bëjnë me dije se Muçi, ka vendosur dërgimin e çështjes në Strasburg.
Gjithashtu bëhet e ditur se Muçi ka pajtuar një zyrë avokatie në Tiranë, e cila ndjek këto procedura në Strasburg, me bindjen se gjetjet e Komisionerit Publik dhe më tej vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelit nuk janë të drejta.
Gjithashtu bëhet e ditur, se Muçi ka siguruar edhe dokumente për gjetjet mbi pasurinë dhe pastërtinë e figurës, pika mbi të cilat u bazua edhe vendimi për shkarkimin.
Muçi tha se “shkaku i parë është diferenca financiare e 4 viteve në shumën 6 milionë lekë të vjetra. Shkaku i dytë është mosdeklarimi i tokës bujqësore që bashkëshortja ime ka marrë në vitin 1991. Por bashkëshortja ime e ka pasur këtë me burim të ligjshëm dhe shkaku shkaku tjetër, mosdeklarimi i një banesë të ndërtuar në vitin 1985 nga prindërit”.
Për Muçin përveç problemeve me pasurinë pati edhe kontestime të tjera që kishin të bënin me figurën dhe për pasojë cënimin e besueshmërisë së qytetarëve tek një gjykatës, apo prokuror.
“Çfarë cënimi kam unë që kemi një të afërm që është dënuar për moskallëzim krimi, i cili ka marrë edhe pafajësi për mungesë fakti” – tha Muçi për rastin e bërë publik.