Kolegji i Posaçem i Apelimit ka hedhur shortin për prokurorin e Tiranës, Adriatik Çama i shkarkuar nga KPK për mosjustifim pasurie. Siç njofton KPA, trupi gjykues i caktuar me short është Ardian Hajdari kryesues, Albana Shtylla relatore dhe anëtaret e tjerë, Ina Rama, Luan Daci dhe Sokol Çomo.
Prokurori Cama, njihet si një nga dy prokurorët që kanë hetuar dhe përfaqësuar akuzën në gjyq në dosjen hetimore të vrasjeve të 21 janarit përballë kryeministrisë.
Po ashtu Cama ka përfaqësuar akuzën në gjykimin ndaj ish-deputetit Mark Frroku, i cili akuzohet për kryerjen e një vrasjeje në Belgjikë. Prokuroria e ka ankimuar vendimin për pafajësinë e Frrokut të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Njoftimi i KPA-së
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) Nr. 18/2018, datë 02.10.2018 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Adriatik Cama kundër vendimit nr. 35 datë 12.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Adriatik Cama.
Sot, në datën 04.10.2018, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.
Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon:
Kryesues: Ardian Hajdari
Relatore: Albana Shtylla
Anëtarë: Ina Rama, Luan Daci, Sokol Çomo
(J.D/Faxweb.al)