Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila është thirrur sot në Policinë e Shkodrës për të dhënë një deklaratë për ngjarjet e fundit në KZAZ nr. 6. Hila është paraqitur në ambientet e komisariatit rreth orës 12:00, për të dhënë dëshminë e tij dhe më pas është larguar.
Burime bëjnë me dije se Hila ka dhënë deklaratën e tij referuar ngjarjeve në KZAZ, por që nuk është person nën hetim dhe se nuk ka asnjë ndalim apo procedim ndaj tij. Një gjë të tillë është konfirmuar edhe nga organi i procedurës.
Kujtojmë se kreu i qeverisë Rama ka firmosur shkarkimin nga detyra të Zef Hilës, ndërsa thirrja gjatë ditës së sotme është bërë për t’u pyetur mbi incidentin e rëndë që ndodhi në KZAZ e kësaj bashkie, e vendosur në shkollën “Ndreu Mjeda”, në Bushat.