Policia e Elbasanit ka reaguar në lidhje me lajmin që qarkulloi në media se ishte tentuar të rrëmbehej djali i Fatos Gosës, i cili njihet ndryshe dhe si i forti i Peqinit.
Disa media raportuan se një benz me tre persona lishte tentuar rrëmbimin e djalit të Gosës, i cili kishte mundur që të largohej me vrap.
U tha se nga ky moment i mituri ishte larguar nga Peqini, por sipas policisë një gjë e tillë është mohuar nga ana e familjarëve.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, që bën fjalë për 3 persona të maskuar që kanë tentuar të rrëmbejnë djalin e mitur të shtetasit F. G., në qendër të qytetit të Peqinit, ju sqarojmë se lajmi është i pavërtetë.
Nga verifikimet dhe deklarimet e familjarëve të djalit të mitur rezulton se ky lajm nuk është i vërtetë.
Theksojmë faktin se në Polici nuk ka patur asnjë kallëzim për një ngjarje të tillë.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan kërkon mirëkuptimin e mediave që të kërkojnë informacion të plotë pranë DVP Elbasan, para se të publikojnë lajme për të cilat nuk kanë informacion të saktë.