Bardhyl Pepa, babai i 16-vjeçares Blerta Pepa, e cila ndërroi jetë si pasojë e mbidozës së anestezisë në Spitalin ”Continental”, ka rrëfyer tmerrin e përjetuar. Në një prononcim për “Report Tv”, ai tregon gjithë kronologjinë e ngjarjes së rëndë.
Si u tha mjekëve se e bija ishte alergjike, si iu dha garancia se gjithçka do të shkonte shumë mirë, si pas përfundimit të operacionit mjekët e gënjyen për gjendjen shëndetësore të së bijës. Ai rrëfen se shqyevi derën e sallës dhe pasi pa gjendjes e vajzës i ra të fikët.
“Më iku jeta e vajzës. U bë nga mospakujdesia e mjekëve, e anestezistëve. Mesa morëm vesh, i kishin futur dozë të tepërt. Unë përpara operacionit, i çova kartelën, u thashë se ishte alergjike ndaj disa ilaçe. Më thanë nuk ka problem.
Mjeku kur doli foli me kunatin. Mjeku fliste anglisht, tha “Çdo gjë ka dalë OK. Edhe ajo që tregon rezonanca, që është më e ndërlikuar, nuk është ashtu siç e tregon, nuk është problematike.”
Pashë lëvizjet, e pyeta “Mos ka problem vajza ime?”. Jo më tha nuk ka problem ajo, ka një tjetër. E kam shqyer derën dhe jam futur brenda. Kur shikoj vajzën në atë moment duke i bërë pompim në gjoks. Kur e pashë vajzën, më ra të fikët. Prapë pastaj kishte lëvizje të shumta. Futeshin, dilnin.
Si përfundim nga ora një e natës, dalin mjekët dhe kërkojnë kunatin dhe i dhanë lajmin e fundit për vajzën time. Dua që drejtësia të vejë në vend. Shteti të vejë duart, edhe për atë njeri që më mori jetën e vajzës.
Vajza ime ka qenë një artiste, ka marrë pjesë tek “Gjeniu i Vogël”. Jo se jam prindi unë, por ka qenë një vajzë inteligjente.
Shkuam në shumë mjekë të tjerë, më thanë që vajza nuk duhet të operohet tani, të prisnim dy muaj. “Continental” e mori vajzën përsipër, me 100%. Më thanë që vajza nuk do kishte probleme fare. Operacioni ishte planifikuar në orën 10:00, u fut në orën 19:30 të darkës.”, rrëfeu ndër të tjera babai mes dhimbjes.
(XH.A/SHUPLAKA)