Ditën e sotme gratë dhe vajzat shqiptare por edhe kudo në botë morën urime në kuadër të festës që në botë manifestohet në fakt si dita e revoltës kundër diskriminimit, dhunës, pabarazisë dhe përjashtimit.
Por teksa kjo është ‘njëra anë e medaljes’ ana tjetër ka të bëjë me shfaqjen e dhunës, diskriminimit, madje edhe marrjen e jetës së tyre siç ka ndodhur të paktën në 5 raste vetëm në harkun kohor të 2 muajve në vendin tonë.
Vendi ynë përgjatë dy muajve që lamë pas është tronditur nga një sërë ngjarjesh sa kriminale aq edhe tronditëse për opinionin publik duke qenë se në qendër të rasteve që po trajtojmë janë femrat.
39-vjeçares Enkeleda Çapoku, cila u masakrua nga kunati i saj 34 vjeç, Erdet Çapoku, ndërsa burime bëjnë me dije se burrit të saj që është në burg nuk i është dhënë leje për të qenë i pranishëm në ceremoninë e varrimit, për ti dhënë lamtumirën e fundit bashkëshortes së tij të ndjerë.
Madje, edhe bashkëshorti i Enkeledës, i cili ndodhet në burg, ishte i frikësuar se i vëllai mund t’u bënte keq gruas e vajzës. Dëshmitari kryesor është vëllai i vrasësit Ervin Çapoku i cili ka hedhur poshtë pretendimet e Erdetit që tha se e kishte si porosi nga vëllai tjetër ruajtjen e gruas.
“Më datë 27.12.2019 unë kam shkuar për të takuar vëllain që është në burg Eltonin me të cilin kemi biseduar për konfliktin që nusja e Eltonit, Enkelejda kishte me vëllai tonë. Eltoni më tha që “foli Erdetit se ai nuk ka punë me gruan time dhe se Enkelejda e dinte vetë se çfarë bënte, foli se mos na bën ndonjë skandal apo proçkë me Enkelejdën”.-bëhet e ditur të jetë shprehur ai.
Më 12 janar të këtij viti, erdet Çapoku doli përpara Gjykatës Penale të Tiranës, i cili masakroi me thikë dhe me sende të forta kunatën e tij, Enkelejdën.
Gjykatësi Llazer Sallaku pranoi kërkesën e prokurorisë, duke dhënë masën e arrestit me burg pa afat për Çapokun.
“Unë nuk mbaj mend në lidhje me ngjarjen që kam kryer. Unë kam investuar për kunatën dhe mbesën por ato nuk më kanë mbështetur. Nuk jam në gjendje tërikujtoj hap pas hapi cfarë ka ndodhur”, mësohet të ketë thënë Çapoku në séance (lexo të plotë dëshminë e autorit).
Goditi gruan dhjetë herë me thikën e bukës, 53-vjeçari shqiptar pranon krimin e rëndë
Eduart Zyberi, shqiptari 53-vjeçar që u gjet i plagosur pranë kufomës së gruas së tij, Laureta Zyberi, 42 vjeç, në një apartament në Xhenova Molassana ka pranuar vrasjen e të shoqes.
“Il Secolo XIX’ raporton se muratori ka rrëfyer vrasjen, por ka qenë kryesisht në gjendje të rëndë dhe thoshte fjalë të pakuptimta ndërsa ngjarja ndodhi në fillim të këtij viti.
Ai e qëlloi gruan e tij dhjetë herë me thikën e kuzhinës në vendin e punës. Laureta punonte si pastruese në një shtëpi.
Siç raporton media italiane motivi më i besueshëm nga hetuesit është ai i xhelozisë. Efektivët e policisë mblodhën disa dëshmi, përfshirë ato të fëmijëve të çiftit.
Askush nuk foli për grindje apo ndarje. Burri u dërgua në spital, ku i është nënshtruar një operacioni në bark.
”Do marrim hak deri në 7 persona, tre fëmijët u gjetën mbi nënën e larë në gjak, djali i vogël donte të pinte”, motra e Manjola Cukut bën reagimin rrëqethës
Rrëqethëse është ngjarja e ndodhur disa javë më parë në Xhafzotaj të Durrësit, ku burri i kthyer nga emigrimi në Greqi, Lulëzim Cuku, rrëmbeu thikën dhe i mori jetën bashkëshortes në banesën e tyre ku ndodheshin edhe fëmijët. Pasojat më të rënda po i pësojnë vogëlushët e Manjolës dhe Lulzimit, të cilët kanë parë gjithçka me sytë e tyre.
E teksa mediat aluduan për lidhje jashtë martesore të të ndjerës me persona të tjerë, ka reaguar motra e viktimës. Ajo flet me tone të ashpra, teksa bën me dije se kjo është një plagë shumë e madhe për ta. E motra kërkon që të respektohet trauma që fëmijët dhe gjithë familjarët po kalojnë.
Detaje tronditëse nga krimi në Xhafzotaj/ Lulzim Çoku u pendua gjatë rrugës, zbardhet dëshmia në komisariat
Mësohet se pas ngjarjes, Lulzimi është nisur për t’u strehuar në Dibër por gjatë rrugës ka ndryshuar drejtim pasi me sa duket ka reflektuar mbi veprimin e bërë dhe është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë së Burrelit.
Ai kishte hipur në një makinë për t’u fshehur nga policia në zonën e tij të lindjes, por që rrugës ka ndryshuar mendje pasi është paraqitur në komisariat duke rrëfyer ngjarjen si dhe pranuar krimin.
Mësohet se Çoku ka treguar pendesë gjatë rrëfimit të tij madje ka treguar se ka tentuar disa herë edhe të vetëvritet, ndërsa arsyeja e krimit ka të bëjë me një konflikt për motive të dobëta me gruan e tij duke e goditur 3 herë me thikë dhe marrë jetën.
Lulzim Cuku, goditi për vdekje me thikë gruan e tij 33-vjeçaren Manjola Cuku, në mes të natës.
Policia njofton se autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi Lulzim Cuku, si pasojë e trysnisë së Policisë është vetëdorzuar në Komisariatin e Policisë Burrel.
Paraprakisht dyshohet se burri e ka goditur gruan pas një debati mes tyre, pasi kjo e fundit mësohet se i ka kthyer fjalën.
Bëhet me dije se të bërtiturat e saj kanë alarmuar fqinjët, të cilët kanë telefonuar policinë për ngjarjen e rëndë.
45-vjeçari jetonte në Greqi dhe kishte vetëm një javë që kishte ardhur në Shqipëri. Mësohet se krimi i rëndë ka ndodhur në sy të 3 fëmijëve të mitur të çiftit, ndërkohë që çifti ka edhe një vajzë 9 muajshe.
Bëhet me dije se familja kishte ardhur nga Peshkopia, për të jetuar në Xhafzotaj (Lexo të plotë).
Zbardhet dinamika e krimit të dyfishtë në Mirditë, atentatet e mëparshme, dënimet dhe sherri për fëmijët
Është zbardhur dinamika e ngjarjes së disa ditëve më parë në Mirditë ku Fatmir Koleci 46-vjeç vrau në oborrin e shtëpisë ish-bashkëshorten e cila quhet Esmeralda Filopati 36-vjeçe dhe vëllain e saj Vledison Filopatin, 34-vjeç.
Koleci është nga fshati Zejmen i Lezhës, ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes i armatosur dhe pas një konflikti verbal, ka qëlluar për vdekje Vledison Filopatin.
Pasi ka dëgjuar të shtënat, ka dalë në oborr edhe motra e viktimës dhe ish-bashkëshortja e autorit me të cilën kishte 3 fëmijë, por nuk ka nguruar të qëllojë për vdekje edhe atë.
Mësohet se ai ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes për të marrë fëmijët ndërsa divorci i tyre mësohet nga burimet për Faxweb.al kishte ardhur pas konflikteve të vazhdueshme që kishte pasur mes tyre.
Faxweb.al mëson se në një rast, Koleci ka tentuar ta vriste me thikë Esmeraldën të cilën e kishin shpëtuar fqinjët e tyre teksa ish-bashkëshorti i kësaj të fundit kishte kryer edhe burg pas denoncimit.
Fatmir Koleci, banues në Zejmen është arrestuar nga policia pasi akuzohet se ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj gruas në sy të fëmijëve të tij. Koleci, përveç dhunës, e kishte kërcënuar bashkëshorten e tij edhe me një armë zjarri, pushkë model 56 me 10 fishekë që u sekuestruan nga policia në atë kohë.
Gjykata kishte vendosur që fëmijët t’i mbante 36-vjeçarja ndërsa Koleci nuk e kishte pranuar një fakt të tillë, diçka e cila u provua edhe mbrëmjen e sotme duke kryer një krim të dyfishtë.
Vrau ish-gruan dhe ish-kunatin në Mirditë, vetëvritet Fatmir Koleci
Dy ditë pas vrasjes së ish- bashkëshortes dhe ish- kunatit, burime për Fax News bëjnë me dije se autori Fatmir Koleci ka vrarë veten në banesën e tij në fshatin Zejmen të Lezhës
Forcat RENEA mbërritën në vendngjarje, pasi kishin informacione se ai ishte fshehur në Zejmen, ndërsa burime nga policia e Lezhës bëjnë me dije se ai ka vrarë veten (lexo lajmin)
I priti në ballkon dhe qëlloi 15 herë drejt Policisë/ Detaje nga ngjarja në Zejmen: Fatmir Koleci u vetëvra në tualetin e banesës
Detaje të reja janë zbuluar nga aksioni i Policisë në Zadrimë të Lezhës ku mbeti i plagosur një efektiv i FNSH-së dhe u vetëvra autori i krimit të dyfishtë në Mirditë, Fatmir Koleci.
Burime për Fax News bëjnë me dije se personi në kërkim ka qenë në ballkonin e banesës së tij në Zejmen, dhe sapo ka parë forcat e policisë, me armën e tij ka qëlluar në drejtim të tyre, mbi 10-15 heë, nga këto të shtëna është plagosur një punonjës policie.
Më pas Koleci është kthyer në tualetin e banesës së tij duke u vetëvrarë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një armë zjarri dhe dy granata.
Mësohet se efektivi i plagosur dhe që është nisur pas ngjarjes drejt Spitalit të Traumës për mjekim më të specializuar është K.H., rreth 30 vjeç i cili fatmirësisht ka mbijetuar.
Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me vetëvrasjen e Fatmir Kolecit në fshatin Zejmen të Lezhës i cili vrau në oborrin e banesës së tyre ish-bashkëshorten, nënë e 3 fëmijëve dhe të vëllanë e saj në Kodër-Rrëshen të Mirditës.
Sipas Policisë, vrasësi i Esmeralda dhe Vladison Filopatit është lokalizuar disa orë pas ngjarjes ndërsa në orët e pasdites është futur nëpërmjet pyllit në banesën e tij në fshatin Zejmen të Lezhës.
Pavarësisht se forcat e FNSH-së i kanë bërë thirrje të dorëzohet pas rrethimit të banesës, Koleci nuk është bindur ndërsa në një moment ka qëlluar me armë në drejtim të Policisë ku ka mbetur i plagosur një efektiv i FNSH-së së Shkodrës.
Pas kësaj në ndihmë të FNSH-së kanë shkuar edhe forcat e RENEA-as ku autori pasi ka konstatuar se nuk kishte shpëtim, ka qëlluar me armë zjarri veten duke mbetur i vdekur.
Masakroi me levë bashkëshorten, policia jep detajet e para për krimin monstruoz në Durrës
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur më 26 Shkurt të këtij viti në lagjen nr.12 në Durrës ku Ruzhdi Tosuni 63 vjeç ka vrarë bashkëshorten e tij Hajdie Tosuni duke e goditur disa herë me levë brenda dyqanit që kishin në pronësi së bashku.
Burimet zyrtare të policisë së Durrësit shprehen se autori i ngjarjes makabre është vënë menjëherë në pranga ndërsa viktima ka ndërruar jetë menjëherë për shkak të plagëve të marra.
Njoftimi zyrtar:
Më datë 26.02.2020, rreth orës 11:35, në lagjen Nr. 12, Durrës, shtetasi R. T., 63 vjeç, banues në lagjen Nr. 7, Durrës, në dyqanin që tregton metrazhe, dyshohet se ka vrarë me levë hekuri, bashkëshorten e tij, shtetasen H. T., 59 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të ngjarjes.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, ku vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e ngjarjes.
“Jo mo burrë, ç’a xhelozie 60 e ca vjeç”, dhëndri i familjes Tosuni tregon shkakun e krimit në Durrës: Dje piva kafe me Ruzhdiun…
Në media u tha fillimisht se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkaqe xhelozie, po sipas dhëndrit të familjes, Kastriot Berisha, gjithçka ka ndodhur pas një tensioni të momentit.
Ai ka treguar për mediat se familja ka qenë shumë e rregullt dhe nuk kanë pasur konflikte të mëparshme mes tyre.
“Shkak ka qenë një konflikt i çastit. Thjesht debat prej tensionit të momentit. Kanë qenë shumë normal me njeri-tjetrin. Madje dje piva kafe me Ruzhdiun.
Jo mo burrë, ça xhelozie, çfarë xhelozie 60 e ca vjeçe. Kanë qenë një familje e rregullt, nuk kanë pasur asnjë problem as për çështje pronësie, është pa lidhje fare”, tha Kastriot Berisha.
Ruzhdi dhe Hajdie Tosuni kishin tre vajza nga martesa e tyre e gjatë, dy prej të cilave jetonin në qytetin e Durrësit, dhe një tjetër në Itali.
Mësohet se çifti është konfliktuar fillimisht dhe gjatë debatit bashkëshorti Ruzhdi Tosuni 63 vjeç, ka goditur fillimisht Hajdien me një levë hekuri, ndërsa më pas e ka qëlluar edhe me gërsherë.
Pas krimit, ai ka mbyllur qepenin e dyqanit ku punonin bashkë dhe ka shkuar për të blerë cigare. Më pas ka hyrë në farmacinë pranë biznesit të tyre duke i thënë të pranishmëve që kishte vrarë gruan.
Ruzhdi Tosuni është ulur në hyrje të biznesit duke pirë cigare, ndërkohë që policia vinte në vendin e ngjarjes.
Ai është shprehur se kishte 30 vite që e duronte gruan e tij, dhe se kjo situatë nuk mund të vazhdonte më.
(F.GJ/FAXWEB.AL)