Është zhvilluar sot në Mat ceremonia mortore për tre personat e vrarë dje me armë zjarri teksa ishin duke konsumuar vaktin e drekës, 2 prej të cilëve ishin punonjës të bashkisë dhe një tjetër banor i zonës.
Të pranishëm në ceremoninë mortore kanë qenë dhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe deputeti i zonës Përparim Spahiu. Po ashtu buqeta me lule në nderim të viktimave janë vendosur dhe në godinën e Bashkisë së Matit.
Kujtojmë se sherri në Mat nisi për shkak të një rruge, ku autori Kujtim Koxhaj, i cili ka qenë njëherësh dhe kryeplak i zonës dhe kreu i PS-së ka lëshuar një breshëri kallashnikovi.
Pas një konflikti mes punonjësve të Bashkisë dhe 51-vjeçarit, ky i fundit është larguar drejt banesës për të marrë armën dhe më pas ka shkaktuar një masakër të vërtetë në lokalin ku punonjësit e Bashkisë ishin duke ngrënë drekën.
Viktimat u identifikuan si Mentor Hoxha, Erzen Alija dhe Hamit Buçi, si dhe një tjetër person mbeti i plagosur. Autori u arrestua pak orë pas ngjarjes nga ana e policisë, ndërsa dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin kur ka kryer krimin e rëndë. Ai ka kërkuar që punëtorët e bashkisë ta favorizonin atë, duke i shtruar rrugën deri në hyrjen e banesës së tij.