Ka degjeneruar me përplasje fizike midis pedagogut Jani Marka dhe studentëve protesta e sotme para Ministrisë së Arsimit.
Pedagogu Jani Marka nuk është lejuar nga studentët që të marrë megafonin dhe të flasë para turmës, pasi sipas tyre ai është pjesë e organizatës “Për Universitetin”.
Pas përplasjes me studentët pedagogu është shprehur se donte thjeshtë që të qartësonte situatën dhe sipas tij ai u dëbua nga studentë të forumeve partiake.
“E gjitha kjo ishte e paparashikueshme nga ne. Gjithë kjo protestë e jashtëzakonshme u ka dhënë shpresë shqiptarëve. Doja të flisja për këtë dhunë të ushtruar ndaj nesh. Janë hedhur mbi ne sulme të jashtëzakonshme. Historia do të tregojë të vërtetën. Unë Jani Marka në dy zgjedhjet e fundit i kam bojkotuar. Ne na akuzojnë pse jemi Organizata Politike. Ne nuk protestojmë vetëm për studentët, por edhe për punëtorët, minatorët. 44 minatorë kanë vdekur vitet e fundit. Ardit Gjoklaj djali që vdiq tek Sharra. Ne kemi protestuar tek Bashkia dhe ne na quajnë vegël të Erion Veliajt dhe të Soros. Ne nuk kemi vjedhur asnjë cent. Unë jam dhunuar sot këtu dhe desha të flisja kundër dhunës. Gjithë ky plan me sa duket që dje, ditën e 8 Dhjetorit, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi të organizonin një protestë të madhe. Për fat të mirë, turma nuk shkoi atje. Kush po e përçan protestën? Është e thjeshtë, janë forumet partiake. Ne do t’i demaskojmë. Ky vend është vjedhur. Nuk e kemi vjedhur. Këta që menaxhojnë miliarda lekë shqiptarësh, atje vjedhin. Nuk e meriton fytyra ime të trajtohet kështu që kam një shtëpi atje tek Rruga e Dibrës dhe çoj djalin në këmbë në Shkollë. Unë njeri i dhunshëm? Kam ngrënë grushta. Pse nuk më lanë të flisja? Është e thjeshtë, janë forumet partiake. Ne do t’i demaskojmë”, tha ai për gazetarët në terren.
(M.Q/Faxweb.al)