Zyrtarë dhe organe të larta iraniane, përfshirë presidentin, konfirmuan dje armëpushimin midis Iranit dhe Izraelit.
Megjithatë, ende nuk ka pasur ndonjë pranim publik nga individi që konsiderohet si figura më e fuqishme në vend: Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei, shkruan BBC.
Udhëheqësi suprem zakonisht ka fjalën e fundit për çështjet shtetërore, dhe sytë brenda dhe jashtë Iranit mbeten të përqendruar se kur ai do të komentojë mbi armëpushimin.
Khamenei thuhet se është larguar nga vendbanimi i tij i zakonshëm në qendër të Teheranit dhe tani është strehuar në një bunker të sigurt, por kjo nuk është konfirmuar nga Irani.
Ai u shfaq për herë të fundit në televizionin shtetëror më 18 qershor në një mesazh të pararegjistruar, në të cilin hodhi poshtë thirrjen e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për “dorëzimin pa kushte” të Teheranit.
Edhe pse llogaritë e tij zyrtare në X kishin qenë aktive para armëpushimit, ai nuk është parë në publik që nga sulmi i Izraelit ndaj Iranit më 13 qershor, kur një tjetër mesazh i para-regjistruar u transmetua pas sulmit.
Imazhet më të fundit që e tregojnë atë në një mjedis publik datojnë që nga 11 qershori, gjatë një takimi me anëtarë të parlamentit iranian.