Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka nisur trajnime me avokatë në të gjithë vendin, për prezantimin e Udhërrëfyesit të Gjykatës Kushtetuese mbi ankimimin Kushtetues Individual në rastet kur individët nuk gjejnë zgjidhje për një problem në shkallët e tjera të gjyqësorit.
Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë Maks Haxhia sqaron se ky trajnim i zhvilluar në Shkodër, po bëhet edhe në kuadër të ndryshimeve ligjore në Kodet Penale, Civile dhe Administrative.
“Nisur nga mangësitë që ka reforma në drejtësi, vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë shumë probleme dhe evidentimi i këtyre shkeljeve është i rëndësishëm. Dhoma e Avokatisë i cilëson të njëanshme, të frikësuara dhe me një nivel të lartë papërgjegjshmërie gjykatat në vendimet që japin ndaj të gjitha shkeljeve procedurale. Këto po mblidhen për t’i bërë të ditura në institucionet përkatëse të drejtësisë”, thotë Haxhia.
Udhërrëfyesi i Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me rastet kur gjykatat e tjera cënojnë interesat dhe të drejtën e një individi. Në këtë trajnim të Dhomës së Avokatisë u fol edhe për Drejtësinë Miqësore për të miturit, Kodin Penal për të miturit dhe luftën si një detyrim ligjor kundër pastrimit të parave.