Një shqiptar i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana është arrestuar në Spanjë. Mësohet se shqiptari ishtë në kërkim për akuzën e armëmbajtjes pa leje ndërsa u vendos në pranga në Ibiza. Dyshohet se shqiptari kishte udhëtuar drejt Spanjës për të kryer vrasjen e një bashkëatdhetari. Më tej bëhet me dije se ai është anëtar i një organizate kriminale që ka kryer krime të rënda dhe roli i tij ishte rekrutimi dhe instruktimi i anëtarëve të organizatës për të kryer vrasje.
Arrestimi i tij erdhi si pasojë e një informacioni të mbërritur tek autoritetet spanjolle se anëtari i një organizatë të trafikut të drogës kishte udhëtuar drejt Spanjës për të kryer vrasjen e një shqiptari. Sipas informacionit, ai ishte lidhje direkte e financuesit dhe do transmetonte urdhërin për kryerjen e vrasjes njëkohësisht me kryerjen e pagesës. Pas hetimeve u arrit lokalizimi i tij në ishullin luksoz të Ibizas ku dhe u vu në pranga.