Prej më shumë se katër orësh tashmë sytë e gjithë publikut janë mbërthyer në ekranet e televizorit për të parë zhvillimet më të fundit nga takimet e sotme në Kryesinë e Kuvendit.
Deri më tashmë ajo që dihet është se e vetmja pikë që ndan palët është data e zgjedhjeve. Kryeministri nuk i ndahet 18 qershorit, ndryshe nga sa parashikon paketa McAllister.
Që prej orës 22:00 nga takimi janë larguar të gjithë përfaqësuesit e partive të vogla, në mënyrë që të përpiqet dhe një tentativë e fundit për të gjetur urat e bashkëpunimit mes palëve. Ajo që mësohet së fundi është se Rama dhe Basha kanë porositur kafe dhe ujë, një shenjë kjo që takimi do të zgjasë akoma.
Po ashtu që prej largimit të aleatëve të vegjël, Rama dhe Basha kanë ndërruar dhe sallën e takimit në përpjekje për të pasur konfidencialitet, dhe larguar mundësinë e kamerave.
Duke qenë se është në takim vetëm për vete, të paktën sot nuk mund të flitet për burime nga brenda mbledhjes. (E.K/SHUPLAKA)