Teksa qindra qytetarë paraqiten në urgjencën e spitalit rajonal të Kukësit të helmuar, kryebashkiaku Safet Gjici në deklaratë për mediat tha se në një lagje uji i pijshëm është përzierë me atë vaditës por që gjithsesi ai të konsumohet pasi analizat e kanë nxjerrë të pastër.
“Është një rast i izoluar në lagjen Muja të fshatit Shtiqen, është përzier uji i pijshëm me atë vaditës por nuk ka lidhje me tubin kryesor apo depon. Ka ndërhyrë një banor dhe po merret policia. Ja analizat, uji është i pastër, dhe u bëj thirrje kuksianëve ta konsumojnë”-ishte deklarata ‘skandaloze’ e Gjicit, me zë dhe figurë.
Ajo që vlen të theksohet përtej kontraditave në prononcimin e tij është fakti se kryebashkiaku i Kukësit fshiu videon nga rrjeti social Facebook, por kjo pasi ajo ishte shpërndarë kudo.
Kujtojmë se sot janë raportuar mbi 200 qytetarë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, e prokuroria me policinë po kryejnë hetimet për të zbuluar shkakun e vërtetë të këtij helmimi masiv.