Banorët e Zall Herrit kanë dalë në protestë këtë të premte duke bllokuar rrugën për automjetet e tonazhit të rëndë. Ata kërkojnë shtrimin e 3.5 km rrugë dhe thonë se ndihen të pasigurtë në banesat e tyre.
Kamionët që punojnë për guroret kanë dëmtuar rrugën thonë banorët, ndërsa uji i pijshëm vjen i turbullt.
“Njerëzit të mos hanë presionet e këtyre, por të dalin në protestë. Tirana furnizohet me ujë nga Zall Herr dhe këtu s’ka ujë. Të mos shkojnë pas partive. Ne dalim në rrugë, asnjë nuk vjen këtu. Janë zgjedhur me votat tona, të shtrohet rruga me urgjencë.
Këtu nuk ka ujë dhe e paguajmë. Uji vjen i turbullt. Janë pasuri deri në atë pikë sa nuk merren me ne, nuk e vendosin ujin në zjarr. Si në qeveri dhe në opozitë bandë janë, kanë interesa të përbashkëta.
I kanë mbyllur shkollat në Herraj e Priskë. Kanë bërë edhe denoncime në polici, pse nuk shtrohet rruga, në dimër shi, e verë pluhur”, tha një prej banorëve.