Ukraina ka shënuar gjashtëmujorin që kur ka nisur një inkursion në rajonin rus të Kurskut, që sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky,“ua ka sjellë luftën në shtëpi rusëve”dhe mund të shërbejë si kartë në ndonjë negociatë për paqe në të ardhmen.
“Sot shënohet gjashtëmujori i operacionit në Kursk. Me aktivitetet tona operacionale në territorin rus, ne ia kemi sjellë luftën në shtëpi Rusisë”, tha Zelensky gjatë një video-adresimi mbrëmjen e 6 shkurtit.
Forcat ukrainase nisën inkursionin më 6 gusht, duke marrë nën kontroll pjesë të territorit në rajonin e Kurskut, përfshirë qytetin Sudzha.
Zelensky përmendi brigadat e forcave të armatosura ukrainase të përfshira në operacionin në Kursk, por nuk përmendi një kundërofensivë për të cilën është raportuar nga blogerët jozyrtarë ushtarakë ukrainas dhe nga Ministria ruse e Mbrojtjes.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat ukrainase dhe autoblindat kanë kryer tetë valë sulmesh pranë fshatrave Ulanok dhe Çerkasikaja Konopelka. Rusët kanë zmbrapsur përpjekjet për kundërsulm dhe vendbanimet janë nën kontrollin rus, tha Ministria.