Të dhënat zyrtare të vitit të kaluar tregojnë se konkurrenca në tendera është rrudhur.
Mesatarja e ofertave për një procedurë vitin 2021 ishte 7.9 nga 8.55 që ishte në vitin paraardhës.
Agjencia e Prokurimit Publik (APP) raportoi se të marra më vete sipas llojit të procedurës mesatarja e ofertave varion. “Procedurat me numrin më të madh të ofertave të dorëzuara janë procedurat me vlerë të vogël me 9.83 oferta të dorëzuara, ndërkohë që më pak oferta rezulton të jenë paraqitur në procedurat e hapura mbi kufirin e lartë monetar 1.82 oferta.
Ndërkohë, sa i takon procedurave mbi kufirin monetar për procedurat me vlerë të vogël, rezulton se numri më i madh i ofertave është dorëzuar në procedurat e kufizuara, të cilat janë kryesisht procedura në kuadër të procesit të rindërtimit me 6.92 oferta të dorëzuara” thuhet në analizën vjetore të APP.
Ulja e mesatares së ofertave është e lidhur direkt me konkurrencën duke e bërë një procedurë të ketë më pak mundësi për të kursyer para publike.
Raporti vjetor i Agjencisë për vitin 2021 tregon se kemi një ulje të numrit të procedurave të shpallura në sistem e për rrjedhojë ulje edhe të fondit limit të prokuruar. Kjo shpjegohet me një nevojë më të ulët për procedura të lidhura me tërmetin dhe me pandeminë.
“Ajo që vërehet, është fakti se për vitin 2021 rezultojnë të shpallura një numër më i vogël i procedurave (5079), krahasuar me vitin 2020 ku janë shpallur (6440).
Gjithashtu, fondi limit i procedurave të shpallura për vitin 2020 (264,072,258,684 lekë pa TVSH), është konsiderueshëm më i lartë se fondi limit i procedurave të shpallura për vitin 2021 (149,320,420,249 lekë pa TVSH).
Ulja e konsiderueshme e fondit të shpallur për prokurim gjatë vitit 2021 reflekton uljen e nevojës për zhvillimin e procedurave që lidhen me përballimin e pasojave të tërmetit të Nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid-19, të cilat kanë qenë të konsiderueshme gjatë vitit 2020” thuhet në raport.
Në total nga gjithë procedurat e shpallura rezulton se 3.4 për qind e tyre janë me negocim pa shpallje paraprake që në numër i përkon 143 dhe fondi në lekë 6.5 miliardë./Monitor