Inflacioni është ulur dhe një recesion nuk ka gjasa. Çfarë shkoi mirë? Disa vite më parë, askush nuk mendonte se një “ulje e butë” ishte e mundur, shkruan The Economist. Jo shumë kohë më parë, bankat qendrore kudo në botë ishin duke rritur normat e interesit. Tani, jo më. Në qershor, Banka Qendrore Europiane i uli normat për herë të parë që nga koha para pandemisë Covid-19.
Në korrik, politikëbërësit në Bankën e Anglisë votuan për uljen e normave të interesit. Banka të tjera qendrore, si ato në Kanada, Kili, Danimarkë etj., janë gjithashtu në veprim. Së shpejti, Amerika do të bëjë të njëjtën gjë. Më 23 gusht, kryetari i Rezervës Federale të Amerikës, Jerome Powell, deklaroi se “ka ardhur koha që politika të përshtatet”. Dhe ndërsa bankat qendrore po zbusin politikën monetare, janë rritur shpresat se një “ulje e butë”, është e arritshme.
Metafora
Kjo metaforë nënkupton dy gjëra: uljen e inflacionit në nivelin 2% dhe shmangien e një recesioni. Më parë, shumë ekonomistë besonin se kjo ishte e pamundur. Zakonisht, kur bankat qendrore i rrisin shpejt normat e interesit, kjo gjë pasohet nga rënia ekonomike, sepse njerëzit e kanë më të vështirë të shlyejnë borxhet dhe është më e shtrenjtë për kompanitë që të marrin hua për të investuar.
Shtrëngimi më i madh monetar global, nisi në fund të viteve 1970 dhe provokoi një rënie të madhe ekonomike në fillim të viteve 1980. Nga fundi i vitit 2021 deri në fillim të vitit 2024, norma mesatare e interesit në vendet e pasura, u rrit me pesë pikë përqindje, jo aq sa në fund të viteve 1970, por gjithsesi një nga rritjet më të shpejta të regjistruara në histori (shiko grafikun 1).
Kostot më të larta të huamarrjes kanë ndihmuar në frenimin e inflacionit. Në vendet anëtare të OECD-së, mesatarisht, rritja e çmimeve të konsumit arriti kulmin në mesin e vitit 2022, me 9.5% rritje në bazë vjetore. Në tremujorin e dytë të këtij viti, inflacioni ishte vetëm 2.7%, dhe që nga ajo kohë, ka vazhduar të bjerë. Rritjet e çmimeve në shumë vende të pasura, tani janë brenda objektivit, apo edhe më poshtë.
Për shembull, inflacioni në Itali ishte vetëm 1.6% në korrik. Në Kanada ishte 2.5% në të njëjtin muaj. Ka pak shenja se çmimet do të rriten përsëri, që do të thotë se bankat qendrore mund të ndihen të lira të zbusin politikën monetare. Në vendet anëtare të klubit G10, mesatarisht, pagat nominale po rriten me 4% në bazë vjetore, paksa më shumë se përpara pandemisë (shih grafikun 2). Kjo është ende një shifër e lartë për objektivin e inflacionit, por rritja e pagave po ngadalësohet dhe ka të ngjarë të vazhdojë këtë prirje.
Ndërsa inflacioni ka rënë, norma e rritjes ekonomike ka mbetur çuditërisht e qëndrueshme. Në tremujorin e dytë të këtij viti, PBB-ja reale e vendeve të OECD-së në tërësi, u rrit me 1.8% në bazë vjetore, ritmi më i shpejtë që nga heqja e karantinave. Rreth gjysma e shteteve në këtë klub, duke përfshirë Britaninë, Zelandën e Re dhe Suedinë, në dy vitet e fundit kanë përjetuar rënie të PBB-së për dy tremujorë radhazi, në periudha të ndryshme.
Po ashtu edhe Amerika në fillim të vitit 2022. Por edhe pse rëniet e njëpasnjëshme të të ardhurave kombëtare zakonisht tregojnë recesion, sipas fjalëve të një ekonomisti, një recesion i mirëfilltë është si pornografia: e njeh kur e sheh. Me miliona njerëz humbasin vendet e punës, të ardhurat e korporatave bien dhe firmat mbyllen. Asnjë nga këto gjëra nuk ka ndodhur. Papunësia në vendet anëtare të klubit OECD mbetet mesatarisht në nivelin 5%. Ajo është rritur që nga fillimi i vitit, por kjo nuk është ndonjë arsye për panik. Rritja e numrit të vendeve të punës në të gjitha shtetet e pasura, mbetet mjaft e fortë.
Në shumë shtete, duke përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, numri i vendeve të lira të punës është ende më i lartë se norma para pandemisë, çka tregon se kërkesa për punë mbetet mjaft e lartë.
Kjo ka nxitur që të kërkojnë punë njerëz të cilët dikur nuk kontribuonin në fuqinë punëtore dhe nuk ishin të regjistruar si punëkërkues. Në vendet anëtare të OECD-së, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore të popullsisë në moshë pune, është në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Prandaj, një fluks punëkërkuesish mund të rrisë shkallën e papunësisë në mënyrë të përkohshme.
Mbrojtje shtesë
Ndërkaq, bizneset po ecin mjaft mirë. Zakonisht, në kohë recesioni, fitimet e kompanive bien: klientët zhduken dhe firmat duhet të bëjnë ulje të mëdha. Megjithatë, në tremujorin e dytë të vitit 2024, fitimet globale të korporatave u rritën me më shumë se 10% në bazë vjetore, sipas Deutsche Bank. Kjo ishte rritja më e madhe në dy vjet. Megjithëse besimi i biznesit në të gjitha vendet anëtare të OECD-së mbetet i ulët, ai është më i lartë se sa vitin e kaluar.
Ekonomistët skeptikë vënë në dukje se janë rritur falimentimet e kompanive që nga vitet 2020-21. Por kjo prirje pasqyron rikthimin në normalitet që nga shkalla jashtëzakonisht e ulët e falimentimeve gjatë pandemisë, kur programet e shumta qeveritare e bënë praktikisht të pamundur që një biznes të dështonte. Pra, në terma absolutë, falimentimet mbeten të ulëta.
Si e kanë arritur vendet e pasura këtë pozitë kaq të mirë ekonomike? Një mundësi është që ekonomitë moderne mund të jenë më pak të ndjeshme ndaj ndryshimeve të normave të interesit, për shkak të rënies së industrive me nivele të larta kapitali, si ndërtimi i shtëpive dhe prodhimi, të cilat kërkojnë që bizneset të marrin shumë hua për të investuar.
Huamarrësit gjithashtu po sillen ndryshe. Gjatë viteve me norma të ulëta interesi, pronarët e hipotekave në vendet e pasura kishin marrëveshje me norma fikse, duke u mbrojtur nga normat më të larta të interesit që janë vendosur tani. Kjo i ka lënë ata në një pozicion të çuditshëm, ku normat më të larta janë të mira për xhepat e tyre, pasi ata përfitojnë nga kthime më të larta fitimi në llogaritë e kursimeve dhe nuk duhet të paguajnë më shumë për të shlyer borxhet.
Në të gjithë Bashkimin Europian, normat më të larta të interesit, kanë rritur të ardhurat e familjeve nga llogaritë e kursimeve me 40% më shumë se rritja e shumës për shlyerjen e borxhit dhe rezultate të ngjashme vihen re edhe në vendet e tjera të pasura. Politika fiskale po luan gjithashtu një rol. Në vitet 2020-2021, qeveritë e vendeve të pasura mundësuan shumë stimuj ekonomikë.
Kursimet e mëdha që u grumbulluan nga bizneset dhe familjet gjatë këtyre viteve, kanë zbutur goditjen e normave më të larta të interesit. Edhe politikanët kanë vazhduar politikën e lirshme fiskale. Këtë vit, qeveritë e vendeve të pasura do të kenë një deficit prej 4.4% të PBB-së.
Amerika ka një deficit prej 7% të PBB-së, që është një metodë veprimi e çuditshme në një kohë kur papunësia është kaq e ulët. Sidoqoftë, kjo qasje ka ndihmuar në kanalizimin e parave drejt ekonomisë reale, edhe pse bankat qendrore shtrëngojnë kushtet financiare.
Ndoshta cikli i biznesit tani ka arritur majën dhe është gati të marrë kthesën. Kryetari i Rezervës Federale Powell la të kuptohet se shqetësimet për dobësimin e ekonomisë ishin arsyeja pse ai sinjalizoi uljen e normave të interesit dhe se ai dhe kolegët në Rezervën Federale “nuk duan një ftohje të mëtejshme të tregut të punës”.
Sidoqoftë, nuk ka shumë shenja se ekonomia është gati të nisë turbulencat. Shpenzimet e kartave të kreditit mbeten të forta.
Një tregues që mat aktivitetin ekonomik në vendet e pasura, i nxjerrë nga banka Goldman Sachs, është jashtëzakonisht i qëndrueshëm (shih grafikun 3). Një tjetër tregues i krijuar nga Rezerva Federale e Atlantës tregon se PBB-ja e Amerikës po rritet me një normë vjetore prej 2%.
Edhe nëse gjykimi i tyre për gjendjen e ekonomisë del i pasaktë, bankat qendrore mund të kenë ende të drejtë që duan të ulin normat e interesit. Kostot e tanishme të huamarrjes mund të jenë në mënyrë të panevojshme të larta, duke ulur shumë veprimtarinë ekonomike dhe inflacionin. Politikëbërësit mund të duhet të rrisin ritmin e shkurtimeve nëse dalin prova për një ngadalësim të vërtetë ekonomik. Është ende shumë herët për të festuar një “ulje të butë”, veçanërisht kur politika fiskale është ende shumë bujare. Por rruga tashmë mund të shihet qartë./Monitor