Fax News raporton se 4 grupe vlerësimi nga ARRSH kanë mbërritur në Unazën e Re. Grupet e vlerësimit janë të shoqëruar me polici për shkak të situatës të tensionuar që vijon prej disa ditësh me banorët.
Por me të parë këto grupe, banorët kanë filluar të mblidhen dhe të kundërshtojnë grupet e inspektimit. Ata thonë se nuk do të lejojnë asnjë lloj punimi pa u zgjidhur problemi i tyre dhe prezencën e grupeve të vlerësimit e kanë konsideruar provokim nga ana e qeverisë Rama.
Ata kanë patur dhe debat me grupet e vlerësimit, duke përzënë njërin prej tyre. “Ikën, u larguan ata, mbrojmë shtëpinë tonë, ta harrojë se mund ta prishë shtëpinë”, tha njëri nga banorët për Fax News.
ARRSH është shprehur edhe më herët se banorët që kanë shtëpitë me legalizime do të kompesohen, ndërsa pjesa tjetër që është në proces, do të përfitojë bonus qerajeje për tre vite. Zgjidhje kjo që është cilësuar e papranueshme nga ana e banorëve.
Situata prej disa ditësh ka qenë mjaft e nxehtë në këtë zonë, për shkak dhe të protestës së të enjtes përpara parlamentit, ku nuk munguan as episode e dhunës dypalëshe mes policisë dhe banorëve.
(B.H/Faxweb)