Profesori dhe akademiku Artan Fuga i shtohet listës së intelektualëve që kanë dalë publikisht kundër zgjedhjeve monopartiake të së dielës.
Përmes një postimi, ku ndër të tjera shkruan se, “Ndjehem i prekur në të drejtat e mia qytetare”, Fuga rendit 11 arsyet pse nuk do të votojë më 30 qershor.
Nga Artan Fuga:
Bindja ime shprehur disa javë përpara!
Ndjehem i prekur në të drejtat e mia qytetare sepse:
-nuk më janë krijuar kushtet juridike të shfrytëzoj të drejtën kushtetuese të votës,
-nuk kam alternativa për të zgjedhur,
-nuk i besoj një komisioni qendror zgjedhor krejt partiak dhe me vendime juridikisht të papranueshme,
-sepse ende nuk kam një vendim të gjykatës kushtetuese për dekretin e Presidentit që anullon zgjedhjen e 30 qershorit,
-sepse në vend të fushatave kam parë policë, protestues dhe fjalime patetike elektorale pa lidhje fare me pushtetin lokal,
-sepse askund nuk kanë bërë një audit për të thënë çfarë premtoi reforma territoriale dhe çfarë pasojash reale ka sjellë,
-sepse kam ndruajtje nga tensionet sociale që mund ta drobolisin Shqipërinë,
-sepse komisionet zgjedhore për numurimin e votave janë të pabesueshme për mua meqë pa vëzhgues opozitarë,
-sepse procesi ka vendosur mjete shtetërore në shërbim të forcave politike të privilegjuara,
-sepse mendoj që me pjekuri politikanët tanë të zgjidhnin problemet ligjore fillimisht, të na e hiqnin këtë paqendrueshmërinë, paradoksin dhe pasigurinë juridike dhe pastaj në vjeshtë e mesme të shkonin në zgjedhje,
-sepse kështu ne po shkatërrojmë 30 vjet demokraci të brishtë, duke krijuar një pushtet vendor monist,
në një botë ku fryjnë erëra shumë të rrezikshme dhe Shqipëria jonë e vogël i ngjan një anije prej letre që ne po e mbysim.
Po e mbysiiiiiiiiiim!
Unë nuk mund të bëhem edhe pa dashje shok në këtë përgjegjësi! .
Ndjehem i prekur në të drejtat e mia politike!