Sipas rekomandimeve të studimit të udhëhequr nga UNESCO, çdo amendament ligjor në fushën e medias duhet të përfshijë përcaktim të qartë të medias online, platformave të mediave sociale, duke bërë të mundur dallimin midis përmbajtjeve profesionale dhe atyre individuale.
Këto rregullime duhet të jenë në të njëjtën linjë me kërkesat e BE-së, ndërkohë që flitet edhe për krijimin e një strategjie që të njohë gjuhën shqipe si gjuhë të monetizueshme sipas politikave të platformave të mediave sociale.
Medias i kërkohet të vendosë rregulla të qartë për politikat në median sociale, duke përfshirë qëllimet, përmbajtjen dhe role të ndara sa i përket lajmit në raport me median sociale.
Një pikë e rëndësishme ka të bëjë me rolin e Autoritetit të Mediave Audiovizive në Shqipëri, si pjesë e këtij procesi në vendin tonë.
“Tanimë hapat janë hedhur: Ne kemi Aktin e Shërbimeve Digjitale dhe Aktin Europian për Lirinë e Medias që vendosin standarde të reja, mbi qasjet kombëtare në administrimin e Platformave Digjitale. Këto Akte të rëndësishme na ndihmojnë ne, jo vetëm në rregullim, por edhe në përafrimin me standardet europiane dhe rikonfirmimin e angazhimin tonë ndaj pluralizmit dhe pavarësisë mediatike”, u shpreh kryetarja e AMA, Armela Krasniqi.
Në fund të vitit të kaluar, AMA miratoi rregulloren, “Për kërkesat e posaçme që ofruesit e Platformave të Shpërndarjes së Videove duhet të përmbushin për krijimin e ofrimin e sistemeve transparente, efektive e miqësore në përdorim”.
Kjo Rregullore trajton në mënyrë të posaçme rregullimin ligjor të Platformave të Shpërndarjes së Videove dhe synon gjithashtu të rregullojë kushtet e përgjithshme të ofrimit të përmbajtjeve audiovizive nga përdoruesit në këto platforma. Rregullorja nuk prek shërbimet mbështetëse të transmetimeve audiovizive, me qëllim kryesor ofrimin e programeve për informim, argëtim ose edukim.
“Këtë mund ta quaj si iniciativa e duhur për një treg mediatik, i cili sot është transformuar plotësisht nga teknologjia. Sot më shumë se kurrë ka nevojë për rregullim, që duhet të jetë universal dhe i gjithëpranuar”, tha Krasniqi.
Ndryshimet konkrete në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, përveç platformave të Shpërndarjes së Videove kanë përfshirë edhe aspekte të tjera të rëndësishme të rregullimit siç janë, koncepti i bashkërregullimit dhe vetërregullimin në përgatitjen e kodeve të sjelljes; Edukimin Mediatik dhe Transparencën e Pronësisë së Medias.
Iniciativa e UNESCO-s për Qeverisjen e Platformave Digjitale, u konkretizua vitin e kaluar në Kroaci me miratimin e Rrjetit Global të Rrjeteve.