Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar ngrirjen e fondeve prej mbi 2 miliardë dollarësh për Universitetin e Harvardit, në një përplasje që ka hapur debat të ashpër mes qeverisë dhe një prej institucioneve më prestigjioze të arsimit në botë.
Sipas një deklarate nga Departamenti Amerikan i Arsimit, vendimi është marrë pasi Harvardi refuzoi të plotësonte disa kërkesa reformuese të propozuara nga Shtëpia e Bardhë, që përfshinin ndryshime në strukturën e qeverisjes, politikat e punësimit dhe procedurat e pranimit.
“Deklarata e Harvardit sot përforcon mentalitetin shqetësues të të drejtave që është endemik në universitetet dhe kolegjet më prestigjioze të vendit tonë,” thuhet në reagimin zyrtar të Departamentit të Arsimit.
Sipas administratës Trump, që ka ndjekur një linjë më të ashpër ndaj universiteteve elitare, këto kërkesa synonin rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, por Harvardi i ka cilësuar si tentativë politike për të kontrolluar institucionin akademik.
Në një deklaratë të prerë, Universiteti i Harvardit ka bërë të ditur se nuk do të pranojë kushtet e propozuara nga Shtëpia e Bardhë, duke theksuar se ato cënojnë pavarësinë institucionale dhe akademike.
“Ne e kemi njoftuar administratën përmes avokatit tonë ligjor se nuk do ta pranojmë marrëveshjen e propozuar. Universiteti nuk do të heqë dorë nga pavarësia e tij,” thuhet në deklaratën e Harvardit.
Ky konflikt pritet të thellohet më tej në javët në vijim, teksa përfaqësues të të dy palëve pritet të përballen edhe në seanca dëgjimore në Kongres.
Vendimi për ngrirjen e fondeve vjen në një moment kur universitetet amerikane po përballen me presion të shtuar politik dhe ndarje të theksuara ideologjike mbi çështje si lliria e shprehjes, diversiteti dhe përfshirja në institucionet arsimore.