Në komunikimet e aplikacionit SKY ECC për operacionin “Ura” është përmendur edhe emri i ish-drejtorit të policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina i cili lidhjet për trafikun e drogës i kishte deri në Ekuador është pyetur nga Ekil Ndërjaku për vëllanë e një trafikanti që i kishte marrë drogë në Spanjë.
Ish-efektivi duke shfrytëzuar pozicionin e punës që kishte kontrollon të dhënat në sistem, por shkon dhe deri aty sa kërkon informacion edhe nga ish-drejtuesi i policisë, Gledis Nano për këtë rast, por emri nuk rezultonte në sistem.
Gjithashtu lidhur me transportin e drogës, Morina i dërgon mesazh Nderjakut, ku e vë në dijeni se kishte gjetur një kontakt në Gjermani për ngarkesën e lëndës narkotike.
Në disa raste mes tyre shkëmbenin edhe foto të drogës.
Po ashtu Altin Morina komunikon me Ekil Ndërjakun, për të paktën 3 ngarkesa që kishte gati për transport droge dhe i thotë për sasinë e kokainës që ka në dispozicion për tregtim.